AMF i përgjigjet Braçes: S’kemi kopetencë për të ndërhyrë në politikat e tarifimit të kompanive të sigurimeve
Pas rritjes se çmimit për të gjitha llojet e makinave nga kompanitë e sigurimit, si dhe pas akuzave të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, se po mbron kompanitë e sigurimeve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sqaron situatën e krijuar. Përmes një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e tij zyrtare, institucioni që monitoron tregun e sigurimit në vendin tonë sqaron se tarifat e sigurimit të makinave janë sipas legjislacionit në fuqi. Sipas AMF-së tarifat e sigurimit të makinave janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit që ne këtë mënyrë ti përcaktojnë vete ato sipas kushteve të tregut. Edhe pse është shprehur më parë se sistemi i ri tarifimit do të zbatohet vitin e ardhshëm, AMF thotë se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit ndonëse sistemi nonus-malus është gati për tu vendosur në funksion.
Më tej, AMF thotë se në përcaktimin e çmimeve, shoqëritë e sigurimit marrin parasysh një sërë faktorësh risku dhe përvojën me dëmet e ndodhura. Ndër faktorët përcaktues të çmimit AMF thotë se janë ndryshimi i primit të rrezikut, shpenzimet e ndërmarra për pagesën e dëmeve, shpenzimet e tjera operative të shoqërisë, fitimi i shoqërisë dhe aspektet fiskale. Nga këto elemente Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përcakton nivelin e primit të rrezikut , i cili luan rolin e një primi orientues për kompanitë. “Sqarojmë se primet e rrezikut të përcaktuara nga AMF janë orientuese për tregun e sigurimit dhe tarifat e primit të sigurimit të aplikuara për shitje mund të ndryshojnë ndjeshëm nga këto. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën nivelin e primeve të rrezikut si rezultat i konkurrencës duke rritur ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj risqeve, shoqëruar kjo me humbje teknike. Synimi i AMF është mbrojtja e konsumatorit kryesisht nëpërmjet monitorimit të shoqërive të sigurimit që ato të respektojnë angazhimet dhe përgjegjësitë që kanë ndaj konsumatorëve”, thekson në reagimin e tij Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. H/M
KOHA JONË SONDAZH

