AMF kontribuon në fondin anti-COVID dhe pezullon shpërndarjen e dividendëve

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të kontribuojë në fondin anti COVID-19.

Në këtë kuadër, Bordi miratoi uljen me 50% të shpërblimit mujor për Kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoritetit dhe pagave mujore të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Nëndrejtorit Ekzekutiv për një periudhë 3-mujore.

AMF gjithashtu vendosi pezullimin e shpërndarjes së dividendëve nga shoqëritë e sigurimit.

Kjo masë e Bordit të Autoritetit është në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve (EIOPA) dhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të mbështetjes për tregun e sigurimeve.

Pezullimi i shpërndarjes së dividendëve dhe ndjekja e një politike më të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë rrit aftësinë e shoqërive të sigurimit për të amortizuar pasojat e shkaktuara nga situata e COVID-19.

Bordi i Autoritetit mori informacion për normat e likuiditetit të shoqërive të sigurimit dhe për raportimin e statistikave të shitjeve në tregun e sigurimeve, ndikuar nga situata e pandemisë së virusit COVID-19.

SHKARKO APP