Amnistia fiskale, ekspertët: Pa konsensus krijohet destabilitet
Për amnistinë fiskale ka debate të shumta. Sipas Maksim Casllit, drejtorit ekzekutiv i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën, qëllimet e vendimit nuk janë të qarta. “Në parim jam pro amnistisë fiskale, se kemi shumë gjera për të formalizuar në këtë vend, por këto gjera duhen studiuar mirë që mos t’i rikthehemi më vonë dhe të futemi në debate politike”.
Sipas Casllit, ekziston rreziku që do të deklarohen edhe paratë e aktiviteteve kriminale. “Refugjatët i kanë futur tashmë paratë në rrjetin bankar, nuk ka refugjat pa llogari bankare tashmë. Plus që në rastin e refugjatëve të thjeshtë nuk duhet të bëhet fjalë për sasi të mëdha parash. Përfitimet do të jenë qesharake për shtetin, në qoftë se amnistia ka të bëj vetëm me këtë kategori, dhe do të jetë për konsum politik”.
Nga ana tjetër, ai thotë se një strategji e zgjuar mund të ishte që paratë të futën në bono 30 ose 40-vjeçare, “në mënyrë që borxhi që ke si vend ta strukturosh edhe për sa i përket jetëgjatësisë së tij”, e cila të bashkohet me një ndryshim radikal të politikës fiskale.
Për Edvin Libohovën e rëndësishme për vendime si ky i amnistisë është konsensusi politik, prandaj kryhen “një herë në 30-40 vjet në vendet e tjera”, përndryshe amnistia do të sjellë edhe një destabilitet”. /A2Cnn/