Amnistia fiskale, ja si do të funksionojë ligji i qeverisë

Qeveria ka hedhur për konsultim publik ligjin e amnistisë fiskale, që synon legalizimin e aseteve të fshehura të biznesit dhe qytetarëve. Por si do të funksionojë amnistia? procesi do të zgjasë 9 muaj dhe hapi I parë është ngritja e Njësisë për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Amnistia parashikon dy forma deklarimesh.

E para për qytetarët dhe bizneset rezidentë në Shqipëri dhe e dyta, për jo rezidentët. Nëpërmjet këtij procesi do të bëhet deklarimi dhe legalizimi i parave të fshehta, pasurive të patundshme apo sendeve të tjera me vlerë.

Në rastet e deklarimit vullnetar të parave, opsioni i parë është ai i tatimit me 7 për qind për 4 muajt e parë të vitit dhe më pas 10 për qind. Por nëse këto para, deklaruesi do të vendosë që t’i investojë në titujt shtetërore, bono thesari dhe obligacione afatgjata, atëherë tatimi ulet ndjeshëm, në 5 për qind për 4 muajt e parë dhe 7 për qind për periudhën pas 4 muajve.

Shuma maksimale që mund të deklarohet është 2 milionë euro për person. Ata që vendosin të legalizojnë paratë e tyre, nuk do të mund t’i transferojnë ato jashtë vendit për të paktën 5 vite dhe as t’i tërheqë ato deri në përfundim të afatit të këtij ligji. Në rast se do të ketë një transferim para afatit 5 vjeçar atëherë do të duhet të paguajë një penalitet në masën 30 % të shumë së transferuar.

Ligji i amnistisë parashikon që për të gjithë deklaruesit nuk do të ketë ndjekje penale për evazion. Kjo do të thotë se jepen garancitë se ata nuk do të hetohen për mënyrën sesi I kanë krijuar pasuritë. Nga zbatimi i amnistisë qeveria pritet të arkëtojë në buxhetin e shtetit një shumë prej 2 miliardë euro.

SHKARKO APP