Amnistia fiskale, një histori e vjetër në Shqipëri. Po tani kujt i drejtohet?
Amnistia fiskale që në thelb është një formë faljeje, Shqipëria i ka kaluar shumë të tilla përgjatë viteve. Nga falja e taksave të automjeteve, tek fshirja e kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike apo mospagesa e gjobave për maskat gjatë pandemisë.
Tashmë amnistia rikthehet në një formë tjetër. Nga amnistia fiskale që diskutohet sot nuk mund të përfitojë asnjë politikan, funksionar shteti, gjyqtar, prokuror apo familjarë të tyre. Në letër përjashtohen edhe paratë e krimit të organizuar dhe narkotrafikut? Po kujt i drejtohet kjo amnisti?
Puna në të zezë deklarohet si subjekti kryesor i amnistisë. Përfituesit synohet të jenë emigrantët që ndër vite kanë siguruar të ardhura nga punë të ndryshme të padeklaruara. Por edhe në vend, personat e punësuar që rroga nuk u deklarohet, si dhe vetë kompanitë dhe të vetëpunësuarit që prej vitesh qarkullojnë para në të zezë.
Shteti kërkon të mbledhë tatimin 7% nga vlera e pasurive të deklaruara, ndërsa thotë se do të çlirojë një kapital të madh që prej vitesh qëndron i mbyllur dhe i shërben shumë ekonomisë në një periudhë krize.
Nga ana tjetër, ekziston rreziku që i druhen ekspertët dhe bizneset, që procesi të kthehet në një ligjërues të parave të pista, që mund të sjellin më shumë dëme sesa përfitime.