Amnistia kalon për votim në Kuvend, Gjonaj: Qëllim jo ulja e mbipopullimit
Pas miratimit të projektligjit të amnistisë në Komisionin e Sigurisë, sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe deputetët e Komisionit të Ligjeve, diskutuan dhe më pas votuan kalimin për votim në Kuvend. Efekti i amnistisë do të përfshijë të gjithë kategoritë që përfitojnë dhe që janë dënuar deri më datë 31 dhjetor i viti që lamë pas. Në fjalën e saj, Gjonaj u shpreh se amnistia i kushtohet grave dhe të rriturve, ndërkohë që theksoi se nga amnistia nuk përfitojnë personat, të cilët kanë kryer vepra penale të rënda, të dënuarit për dhunë në familje, si dhe personat që kanë përsëritur veprat penale.
”Amnistia i kushtohet grave dhe të rriturve. Nuk është qëllim ulja e mbipopullimit në burgje. Nuk përfitojnë ata që kanë kryer vepra të rënda penale. Të dënuarit për dhunë në familje nuk përfitojnë amnisti. Personat që kanë përsëritur veprat penale nuk përfitojnë amnisti. Qëllimi është amnistia e personave të rehabilituar.Në momentin ku është hartuar amnistia, numri ka qenë i ndryshëm. Disa gra dhe të mitur janë liruar, kjo ka bërë që të ulet numri për amnistinë. Janë dhe 28 gra që përfitojnë ulje të dënimit me 1/3”.
Nga amnistia pritet të përfitojnë rreth 700 të dënuar që lënë qelinë menjëhere sapo ligjitë botohet në Fletoren Zyrtare. Draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë iu bënë disa ndryshime. Kësisoj u vendos që amnistia të përfshijë të gjithë kategoritë që janë dënuar deri më datë 31 dhjetor të 2019-ës. Fillimisht Ulsi Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin deri në momentin që hyn në fuqi, por Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia. Më tej ministrja e Drejtësisë tha në burgjet shqiptare janë 54 gra nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3. Sakaq, 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituese nga amnistia. Ndërkohë që nga amnistia do të përfitojnë edhe 4 të mitur ku njëri prej tyre do të lirohet ndërsa 3 të tjerët do të përfitojnë uljen e dënimit.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi dje projektligjin për dhënien e aministisë për të dënuarit, draft ky i miratuar nga qeveria në fund të vitit 2019. Tashmë i ngelet vetëm Kuvendit, që të bëjë miratimin që amnistia të hyjë në fuqi. Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që janë dënuar për dhunë në familje, krime seksuale apo korrupsion.
Teksa po zhvillohej seanca dëgjimore me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, për projektligjin e amninistrisë, në Komisionin e Ligjeve, ka pasur edhe debate të forta që pasuan me largimin nga mbledhja të deputetit Adratik Alimadhi, i cili pretendoi se u ndje i fyer nga kolegët e mazhorancës.
Që në fillim ai kërkoi që t’ia bënte pyetjet një e nga një ministres, por që u kundërshtua nga socialisti Bashkim Fino.
Fino: Zbato rregulloren, çdo deputet ka te drejte për të bërë pyetje, jo përgjigje të pyetjeve një nga një, pyetjet bëhen të gjitha bashkë.
Manja: Do bëjmë një përjashtim për zotin Alimadhi.
Ndërkohë që teksa ishte duke folur Alimadhi, pati ndërhyrje nga ana e socialistëve.
Alimadhi: Qeshni kur unë flas, më thoni nëse nuk më doni në komision dhe largohem. Nuk ofendoj asnjë, mos qeshni të paktën kur flas. E bëtë një opozitë që të ikte, po largohem edhe unë. Mos flisni në këtë gjuhë të pakulturë. Nëse nuk jam për këtu unë të largohem . Si diktaturë. Nuk qeshet kështu. Ku jemi këtu. Nëse unë se kam vendin këtu më çoni ku ka qenë para viteve ’90.