Amnistia/ Peticion nga të burgosurit e Fushë-Krujës: Të jetë gjithëpërfshirëse
Të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës, kanë nënshkruar një peticion për amnistinë. Projektligji parashikon amnisti për disa kategori siç janë të moshuarit, gratë dhe të miturit. “Ne, të dënuarit e burgut Fushë-Krujë, kërkojmë që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse. Të mos ketë diskriminim meshkuj e femra në amnisti. Janë po këto deputetë që flasin për ditë që gjykatësit e prokuroret janë të korruptuar e ne nga këto gjykatës e prokurorë të korruptuar jemi dënuar”, thuhet në peticion. Nga ana tjetër, të burgosurit shprehen se “Gjykata e Lartë ka 2 vjet është mbyllur, sa çështje e persona do të liroheshin nga kjo gjykatë? Të mos harrojmë se po kërkojmë të na amnistohen vitet e fundit që na takon t’i marrim me kusht ose shërbim prove. Nuk e mohojmë, kemi gabuar e shumë nga ne jemi dënuar në mënyrë të padrejtë. Kërkojmë nga Parlamenti shqiptar që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo aq sa thotë ministria e Drejtësisë. Në çdo gjykatë shkruhet “para ligjit jemi të gjithë të barabartë”. Atëherë, amnistia të jetë e barabartë për të gjithë”.