AMT vijon mbledhjen e firmave në Dibër, paralajmëron tubim tjetër në Tiranë
Një tjetër protestë e madhe kombëtare do të thirret në ditët në vijim në Tiranë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Tubimi u paralajmërua nga Dibra, ku ishte ndalesa e radhës e Turit kombëtar për rindërtimin e Teatrit në formën që ishte në vendin ku u shemb!
Qytetet e qarkut të Dibrës ishin ndalesa të radhës Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në turin kombëtar të mbledhjes së firmave të qytetarëve për rindërtimin e Teatrit të ri Kombëtar siç ishte ai që u shemb.
Nga Burreli, Regjizori Robert Budina paralajmëroi se së shpejti ata do të thërrasin në Tiranë një tjetër protestë kombëtare.
”Ne jemi duke u përgatitur për të bërë një marshim madhështor në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ku shqiptari të dalë si qytetar që kërkon të drejtën e tij, i paorganizuar në kuptimin partiak sepse është shumë e rëndësishme që ne në këtë moment jemi të gjithë bashkë. Më mbrapa, kur të vijnë kushtet normale, çdo parti ka rrugën e vet, ka mendimin e vet, ka të drejtën e vet të kërkojë pushtetin. Por ne do i nxisim këto forca që të tregojnë forcën e qytetarisë.”
Dhjetra qytetarë u mblodhën në protestën e zhvilluar pranë Pallatit të Kulturës në Burrel, ku mes tyre ishte edhe poeti i mirënjohur matjan, Basir Bushkashi.
Në fjalën e tij, Bushkashi e quajti shembjen e teatrit si një moment ogurzi për Shqipërinë duke e krahasuar atë me krimet e Makbethit të Shekspirit që ndohin natën.
”Ky është një atentat i rralë dhe i është drejtuar kundër zemrës së popullit.”
Në protestë ishin të pranishëm edhe ish deputetët e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi dhe Xhemal Gjunkshi.