ANALIZË/9 muaj ”luftë”, OFL kapi veç një makinë. Tani synon zgjedhjet (VIDEO)

 

Nga Redjon Shtylla

Për Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është një nga 15 kushtet kryesore të vendosua nga Bashkimi Europian, për negociatat e Integrimit. Në shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama prezantoi Operacionin Forca e Ligjit, ku me doza të larta prej deliri, thoshte se pasuritë e krimit nga djemtë problematikë, do të shkonin në shërbim të shqiptarëve. Operacioni Forca e Ligjit krijoi volum formularësh, por sot kur misioni po shkon drejt fundit, OFL-ja konfiskoi vetëm 1 automjet të vjetër.

Formularët e vetëdeklarimit u shpërndanë në çdo cep të vendit dhe publikisht u nxorrën emrat e të gjithë personave të cilët sipas ligjit ishin dënuar për grupe kriminale, terrorizëm apo dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Formularët i’u dërguan rreth 7800 subjekteve. Rasti më flagrant ishte referimi në prokurorinë e Posaçme të aseteve të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës. Mes 700 referimeve në këtë prokoruri, rasti i Berishës u mediatizua nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit si rast suksesi. Fillimisht i’u sekuestrua një automjet i blinduar, por disa ditë më pas me motivacionin se nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të OFL, e rifitoi mjetin, e njëjta gjë siç ndodhi me 1,2 milion litra naftë dhe një magazinë doganore në pronësi të tij.

Më 1 janar rë 2021 OFL-ja pushon së ekzistuari, por duke nisur nga situata e pandemisë, OFL u detyrua që të ndërpresë punën për disa muaj. Kjo ka çuar në vendimin për të ndërhyrë në ligj për zgjatjen e afatit të proceseve të hetimit pasuror ndaj subjekteve të dënuar. Pra Ministria e Brendshme ka ndryshuar mendje. Ministri Sandër Lleshaj ka përgatitur ndryshime në aktin normativ për OFL-në, të cilat parashikohet të kalojnë brenda vitit në qeveri. Pa pritur vendimet e formës së prerë të gjykatave, ministria mendon se subjektet që janë referuar në SPAK për fshehje pasurie, të mos kenë të drejtë për të përfituar tenderë e PPP për 3 vite. Nga praktika e deri tanishme, SPAK i ka kthyer mbrapsht OFL-së për plotësim dokumentacioni e parregullsi, një sasi të konsiderueshme dosjesh. Ndryshimet që propozon ministri nuk saktësojnë kush do të merret me korrigjimin e dosjeve, pas 1 janarit kur OFL të jetë shkrirë.

Deri më tani gjykata e posaçme ka pranuar 120 kërkesa për sekuestro, por fluksi më i madh i aseteve që kërkohet të bllokohen nga OFL-ja, janë automjete që u përkasin të dënuarve jashtë kompetencave të SPAK sikurse vrasjet, grabitjet dhe gjobëvenia. Juristët theksojnë se të gjitha procedurat e lidhura me OFL-në, duhet të ndalojnë, pasi akti normativ është miratuar në kushtet e emergjencës. Sipas juristit, Ledio Braho, akti normativ është i përcaktuar qartë dhe nuk ka efekt më 1 janar, ndaj shtyrja mund të përdoret për qëllime të tjera në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, ku izolimi është arma e pushtetit, si dhe pikëpyetjet e shumta për vijëmësinë e normalitet, ngreh shumë pikëpyetje për zgjedhjet e 25 prillit, sesi do të zhvillohen. Kthimi i OFL-së në një mashë për qeverinë, është një shkelje e rëndë, e frikshme dhe një sinjal sesi do të jenë zgjedhjet. Marifeti i pushtetit për të përdorur OFL-në si një zarf kërcënues ndaj të fortëve edhe jo vetëm, për të mbajtur pushtetin, është jo e pa zakontë për Rilindjen, por nëse qeveria përdor OFL-në si kërcënim për zgjedhjet, populli do përgjigjet. /Koha Jonë/

SHKARKO APP