Analizë brilante e Skender Minxhozit me 26 dhjetor 1992 për Ballkanin

Nga Skender Minxhozi-

BALLKANI – ORA ZERO

(Botuar me 26 dhjetor 1992 në gazetën KOHA JONE)

Më 20 dhjetor në “Jugosllavinë e vogël” u zhvilluan zgjedhjet Presidenciale. 72 orë pas zhvillimit të tyre u bë e qartë fitorja e konservatorëve të Millosheviçit. Më parë komisioni i zgjedhjeve ia pati ndaluar pjesëmarrjen kandidatit të moderuar Milan Paniç, me pretekstin se nuk ishte qytetar permanent i Republikës së Serbisë. 24 orë pas zgjedhjeve Milan Paniç, duke pasur edhe përkrahjen e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë që ndoqën këto zgjedhje kërkoi përsëritjen e tyre për shkak të trukimeve të shumta që u vunë re. Interesimi që ngjallën zgjedhjet në Federatën që mbledh “mbeturinat” e shtetit shumëkombësh të Ballkanit kishte të bënte në fund të fundit me fatin e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë që po shkakton viktima në zemër të një Europe e cila duket se i është nënshtruar fatit.

Gjendja e vështirë e Serbisë pas embargos së Kombeve të Bashkuara dhe problemet e shumta që sjell lufta me ish-partnerët myslimanë të Bosnjë-Hercegovinës si dhe dalja në skenë e një figure të moderuar si Paniçi, i cili më së pakti ka atributin e politikanit që vjen nga Amerika, krijuan idenë e gabuar se publiku serb do të hiqte nga skena politike Millosheviçin, personazh i konsumuar sipas vëzhguesve politikë. Por zgjedhjet treguan se nacionalizmi si kartë politike mund të luhet ende në Jugosllavinë post komuniste, e cila ia detyroi krijimin dhe ekzistencën e deritanishme koniukturave diplomatike ndërkombëtare. Perëndimi po sheh me shqetësim rritjen e unitarizmit nacionalist me të cilin po manipulojnë ekstremet politike serbe. Nga njëra anë ish-komunistët të cilët të konvertuar në nacionalistë tentojnë të ruajnë pushtetin, nga ana tjetër të djathtët e Sheshelit, të cilët me flamurin e “Stara Serbisë”, synojnë ta marrin ata. Skena politike serbe është rast tipik i mbushjes së vakumit ideologjik të shkaktuar nga përmbysja e komunizmit, nga një nacionalizëm i verbër, fenomen i rëndomtë ky për Europën Lindore e jo vetëm për të. Fenomene të shumta politike që ndodhën në këtë vend si pasojë e mërive etnike, rastësisë, traditave dhe tërheqjes së fuqishme që ushtronin mbi të dy kampet kundërshtare, bënë që sllavët e Jugut t’i kthejnë të parët sytë drejt Perëndimit më 1948 dhe të pranojnë ndër të fundit pluralizmin politik më 1990. Në këto kushte amerikano-jugosllavi që e flet serbo-kroatishten me aksent britanik, Milan Panic, e sheh veten midis dy zjarreve. Miliarderi perëndimor i çmësuar me prapaskenat dhe djallëzitë politike të ballkanasve u përfshi shumë shpejt në një vorbull nga e cila do ta ketë të vështirë të dalë. Njeriu, i cili premtoi “ta shuajë” fitilin që në mënyrë të frikshme po i afrohet “fuçisë së barutit”, e humbi shansin e fundit për ta bërë këtë. Tani Ballkani gjendet para një situate vërtet dramatike. Mbeten për t’u parë kartat që do të luajë Perëndimi. Diçka është e qartë: Serbia nuk është Somali. Të vihesh përballë një vendi që ka një prodhim vjetor armësh prej 2 miliardë dollarë (një nga eksportuesit kryesorë në Europë) do të thotë të futesh në një tunel të errët pa e ditur se ku të shpie. Megjithatë, kjo duket si zgjidhje e vetme në një moment kur shpresat për negociata janë më të pakta se kurrë. Të para në rrjedhën e deritanishme të gjërave, rezultatet e zgjedhjeve jugosllave duket sikur rreken të vërtetojnë edhe një herë frazën fataliste por me një dozë të konsiderueshme realizmi se “Ballkani është Ballkan”. Analistët mendojnë se një përhapje e konfliktit është shumë e mundshme në këto kushte. Objektivi i ardhshëm i Serbisë, sipas tyre do të jetë Kosova dhe Maqedonia. Një konflikt i mundshëm në këtë rajon do ta bënte eminent rrezikun e një lufte ballkanike. Zgjidhja e çështjes kombëtare të shqiptarëve në këtë mënyrë, edhe nëse ajo do të jetë pozitive, do t’i ngjante një operacioni pa anestezi. Gjithçka do të luhet në kabinetet diplomatike të Europës pas 20 dhjetorit do të afrojë ose do të largojë në mënyrë fatale një përplasje ballkanike, lëkundjet e së cilës do të prishnin në mënyrë të pandreqshme shumë ekuilibra të vendosur nga ky shekull.
Skënder Minxhozi

Shënim: Shkrimi botohet në kuadrin e 30 vjetorit të KOHA JONE, si një ndër shkrimet më të mira të 30 vitëve

SHKARKO APP