Analizë/Burgjet vatër e kuqe nga Covid-19, zero transparencë (VIDEO)
Nga: Redjon Shtylla
Covid-19 është “futur” frikshëm në institucionet e vuajtjes së dënimit. Dje u raportua për viktimën e parë që virusin vdekjeprurës e mori teksa po vuante dënimin në burgun e Drenovës në Korçë. 74-vjeçari ishte i shtruar në Spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi” por gjendja e tij e rënduar shëndetësore nuk ja mundësoi fitimin e betejës. I dënuari ishte pacienti zero i burgut të Drenovës që infektoi më pas të tjerët.
Familjarët e të burgosurëve dhe të paraburgosurëve në të gjitha burgjet e vendit, që në total janë gati 4 800 vetë, janë të shqetësuar. Kur interesi publik për të mësuar se çfarë po ndodh me të sëmurët e të shëndoshët brenda burgjeve është maksimal, dëshira e autoriteteve për ta treguar mbetet zero. Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i vetmi lajm për Covid-19 është që ”Ambasada Franceze në Tiranë dhuron maska për sistemin e burgjeve”, dhe asgjë më tej. Ministria e Drejtësisë apo dhe Drejtoria e Burgjeve, nuk kanë mbajtur asnjë konferencë për shtyp siç bën çdo ditë Ministria e Shëndetësisë, ku raporton për situatën në 24 orët e fundit.
Nga ana tjetër, burgu i Shënkollit në Lezhë është kthyer në dispozicion të të dënuarve të prekur nga Covid-19. Aty po trajtohen 40 të dënuar të cilët rezultojnë të infektuar me Covid-19. 7 prej tyre kanë mbërritur ditën e mërkurë dhe i përkasin të infektuarve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës.
Më 9 mars u zbulua rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri dhe më 24 mars, ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj, bëri me dije se do të liroheshin përkohësisht 600 të burgosur. Afati për lirimin e të dënuarve sipas llogarive skadoi në qershor dhe se çfarë masash ka marrë Ministria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që këta 600 të dënuar që u rikthyen në burgje nuk u prekën gjatë ”lirisë” për 3 muaj? Bllokimi i informacionit është i lehtë por nuk tregon asgjë më shumë, veç se papërgjegjshmëri ndaj publikut dhe mungesë serioziteti institucional. Nëse Covid-19 nuk po kontrollohet në burgje, ku të dënuarit janë të izoluar dhe nuk kanë kontakte, si do të veprohet nesër kur të rihapen shkollat?
Për të mbajtur një të burgosur, duhen rreth 486 euro në muaj. Kjo është një shifër tepër e lartë, e cila tejkalon pagën minimale të një qytetari shqiptar. Nga kjo shifër, nuk është e mundur që Drejtoria e Burgjeve të marrë masa që Covid-19 të mos ketë raste tek të dënuarit?