ANALIZË/FBI-ja e Ramës, 7 vite pune për ”hetues pa tru” (VIDEO)
Nga: Redjon Shtylla
Shqipëria lundron në korrupsion dhe në krim, aq sa në vitin 2013, Partia Socialiste hapi thesin e shpëtimit dhe gjatë fushatës elektorale, nxorri si armë Byronë Kombëtare të Hetimit. Edi Rama asokohe si opozitar, me këshillat e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, trumpetonte me të madhe se BKH-ja nën mbikqyrjen e FBI-së amerikane, do të luftojë jo vetëm krimin e organizuar po edhe korrupsionin e zyrtarëve. E teksa letrat për ngritjen e këtij institucioni kalonin sa në Komisione, e në Kuvend, fillimisht në vitin 2015 përfunduan në ish-Gjykatën Kushtetuese, ku shtatë anëtarë votuan kundër, pasi sipas tyre kjo strukturë do të luante rolin e Prokurorisë.
Në shkurt të vitit 2016, qeveria Rama paraqiti një draftligj në lidhje me disa ndryshime, ku drejtori i BKH-së emërohej sërish nga Ministri i Brendshëm, por vetëm me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Përsëri e gjithë struktura vendosej tërësisht nën kontrollin e ekzekutivit. Opozita kundërshtoi projektin si një ligj antikushtetues, me të cilin Rama kërkonte sipas tyre që të bëhej vet kryehetues i vendit.
PD-ja asokohe doli kundër që drejtues i BKH-së të jetë oficer policie. Dhe ja ku jemi sot, me BKH-në që është ngritur dhe në krye si drejtues qëndron Aida Hajnaj Veizaj, ish-zëvëndës/drejtuese e Policisë së Shtetit, e cila ka një eksperiencë të gjatë në polici. Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme. Nëse në 2013 u prezantua, në 2020 BKH-ja është ngritur dhe ka nisur përzgjedhjen e hetuesëve. FBI-ja shqiptare është pjesë e SPAK-ut, një agjenci e pavarur nga ana operacionale dhe jo-ministeriale.
Pas disa vitesh, sërish BKH-ja përfundon para drejtësisë. Disa aplikantë të skualifikuar e kanë çuar për gjykim në Gjykatën Administrative, garën për hetues të kësaj strukture. Ata ankohen për padrejtësi, pavlefshmëri dhe mungesë transparence. Si përfundoi ky proces në gjykatë? A është një lëvizje e dëshpëruar e aplikantëve që nuk arritën të hynin një një nga strukturat më të kërkuara të drejtësisë së re, apo FBI-ja i dha përparësi policëve me muskuj, por pa “tru”?, sipas edhe vetë të ish-aplikantëve.
Pas testit logjik u shpall lista e fituesve, dhe më pas doli edhe data e testit fizik. Sipas tyre, këtu ndodhi edhe “hileja”. Komisioni i Vlerësimit nuk dha asnjë udhëzim për normat që aplikantët duhet të kapnin. Në përfundim të testimit fizik, Komisioni publikoi emrat dhe mbiemrat e aplikantëve. Në listë kishte vetëm emra, por as kod unik të kandidat, as numër pikësh dhe as një Komision me fuqi më të lartë për t’u ankuar. Por BKH-ja sqaron se kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish. Në reagim zyrtar, shkruhet edhe se të gjitha hapat e përzgjedhjes së aplikantëve janë ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë. Ambasada e SHBA-së në Tiranë, thotë se Byroja Kombëtare e Hetimit po ecën me një proces të bazuar në merita.
Task-Forca, Prokuroria Speciale dhe BKH-ja, janë të thyeshme pasi çdo kush që hetohet për krimet (edhe të vërteta) me lehtësi mundet që t’i drejtohet Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, me pretendimin se nuk iu nënshtruan një gjykimi të drejtë dhe fitojnë. BKH-ja as mund të fillojë, e as mund të hetojë për këdo pa vendimin dhe drejtimin e prokurorisë. Shumë vite u deshën që kjo strukturë që vihej në zbatim por sot, shanset që FBI-ja shqiptare të hetojë korrupsionin e ministrave dhe politikanëve të lartë të vendit janë zero. Kush do ta lejonte?
/Koha Jonë/