ANALIZË/Shqiptarët në “kampin e ferrit”, sirianët paçkisin Tiranën
Nga Redjon Shtylla
Vrasjet, mungesa e ujit dhe e bukës por mbi të gjitha pyetja kur do të marrë fund mankthi, janë realiteti i hidhur në “kampin e ferrit”. Drama në kampin Al-Hawl në Siri është e madhe, aty ku ndodhen familjarët e luftëtarëve të vdekur të Shtetit Islamik. Fëmijë të vetmuar, grupe familjesh pa baballarët, trishtim dhe shumë pasiguri për jetën. Të burgosur në këtë kamp mendohet se janë mbi 80 shqiptarë, mes tyre 50 gra dhe fëmijë. Situata është një thikë kritike. Madje disa prej tyre kanë lindur në këtë shkretëtirë.
Më 12 maj të këtij viti, kryeministri Edi Rama bëri me dije se është bërë identifikimi i shqiptarëve të bllokuar në Siri. Identifikimi i 11-vjeçarit Alvin Berisha u krye nga Policia Shkencore e Italisë, pra mbetet enigmatike sesi është kryer identifikimi i shqiptarëve nga qeveria. Një delegacion zyrtar nga Shqipëria ka nisur prej disa javësh një vizitë zyrtare në Sirinë verilindore me fokus riatdhesimin e shqiptarëve që kanë ngecur në këtë kamp, që është kthyer në një kafaz vrasës. Strukturat e Antiterrorit kanë 1 muaj që qëndrojnë në Liban. Më herët, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte në Liban ku zhvilloi takime me zyrtarë të sigurisë por ende nuk ka informacione se çfarë arriti. A ishte një vizitë nën trysninë e protestave dhe lajmeve në vend, apo me të vërtetë qeveria po punon?
Riatdhesimi i të rriturve nga kampi është i pamundur ka thënë ministri Sandër Lleshaj për emisionin Open. “Ata konsiderohen si pala humbëse e një beteje të armatosur, atje ka të rritur që duhet të japin llogari dhe lirimi i të rriturve është thuajse i pamundur. Për të rriturit ka procedurë tjetër, autoritet kërkojnë përgjegjësi ligjore, për fëmijët po tentojmë t’i shpëtojmë nga ai ferr”, tha ministri. Sipas tij, riatdhesimi i fëmijëve është shumë i ndërlikuar. “Kthimi i fëmijëve nga kampi i Al-Hawl është shumë i ndërlikuar, por po diskutojmë me autoritete për të bërë të mundur evakuimin e atyre fëmijëve”,- është shprehur më tej.
Shqipëria ka nënshkruar konventa europiane për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por zbatimi është zero. Për qeverinë rikthimi është konsideruar si një proces i komplikuar. Më 14 shtator, teksa fëmijët me maska nisën një vit shkollor të pazakontë, në Kryeministri u mbajt një protestë. Me pankarta në duar, familjarët e fëmijëve që ndodhen në kampin Al-Hawl, kërkonin rikthimin e tyre. Endrit dhe Eva Dumani, prej rreth 6 vitesh ndodhen në zonën e luftës në Siri. Për ta u kujdes gjyshja e tyre, Mentije Dumani por ajo ndërroi jetë në këtë kamp, duke lënë dy fëmijë në mëshirë të fatit. Dy fëmijët u larguan me të atin Shkëlzen Dumani, i cili gënjeu të shoqen, dhe bashkë me fëmijët i’u bashkua luftës së Shtetit Islamik. Ai vdiq gjatë luftimeve, ndërsa tashmë pas 6 vitesh familjarët veç se të luten, nuk kanë asgjë në dorë.
Shteti shqiptar e thotë vetë se është luftë e vështirë nxjerrja e shqiptarëve nga kampi i ferrit. Nga kjo panoramë që shpresën e ka të paktën, kalojnë në Shqipëri, ku çdo ditë në territorin tonë, futen shtetas sirianë. Prej vitesh Shqipëria është cilësuar si një portë e artë e refugjatëve sirianë që ëndërrojnë Europën, siç edhe ne shqiptarët. Policia Kufitare raporton për kapje të sirianëve e jo vetëm, që paguajnë me mijëra euro për të mbërritur në një vend të BE-së. Por ajo që ndodh këtu është e kundërta e shqiptarëve në Siri. Çdo ditë ka raportime për vjedhje, grabitje dhe plaçkitje nga këta refugjatë, që shumica refuzon të qëndrojë në kampin e ndërtuar nga shteti në Babrru.
Trafiku i klandestinëve ka “rrëzuar” kufirin shqiptar. Në vitin 2009 janë kapur 29 refugjatë të parregullt, ndërsa në vitin 2019 numri i tyre ka shkuar në mbi 11 mijë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, vihet re një rritje e pazakontë e numrit të gjatë tre viteve të fundit. Të enjten në Kuvend, deputeti Halit Valteri i kërkoi ministrisë së Brendshme që të marrë masa dhe të hartojë një plan për emigrantët e lindjes që përdorin vendin tonë për të kaluar tranzit në BE. Valteri tha se ka shumë shqetësime nga qytetarët se emigrantët po i grabisin, ndërsa shtoi se ata po bëhen pjesë e grupeve kriminale. Nëse atje në kampin e ferrit, shqiptarët jetojnë në një burg të madh ku mungon pika e ujit, këtu sirianët po bëjnë ligjin.