Anatomia e rrënimit të autonomisë: Historiku dhe impaktet në Kosovë

Protestuesi shqiptar rrihet nga policët serbë gjatë demonstratave në Prishtinë, më 27 mars 1989 (Foto: Udo Weitz – Associated Press)

Joseph Marko me librin “Rrënimi i Autonomisë së Kosovës 1989-1991 dhe pasoja për idenë e integrimit evropian” – botuar nga “Konrad Adenauer Foundation” (KAS) në Kosovë, Prishtinë, 2023 – sjell shqyrtimin e detajuar të procesit të shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga viti 1989 dhe për ndikimet që pati në zhvillimet politike në rajon. Ky raport nuk fokusohet vetëm në ngjarjet historike dhe kushtetuese që ndodhën gjatë kësaj periudhe, por gjithashtu shqyrton pasojat afatgjata për idenë e integrimit evropian të rajonit

Nga: Sylë Ukshini

Më 3 korrik 2001, sytë e publikut ndërkombëtar ishin përqendruar në sallën e Gjykatës I të Tribunalit Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavin (TPNJ) në Hagë. Slobodan Millosheviqi, ish-presidenti i Serbisë dhe i Jugosllavisë së mbetur, do të bënte paraqitjen e tij të parë në gjyq për të shpallur një deklaratë mbi akuzat për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit në lidhje me luftën në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.

Ndërsa tre gjyqtarët e udhëhequr nga gjyqtari Richard May hynë në sallën e gjykatës, Millosheviqi, me një pamje të ngrysur, do të refuzonte të pranojë autoritetin e gjykatës dhe, duke përdorur një taktikë provokimi që do të vazhdonte gjatë gjithë gjyqit, i drejtua gjyqtarit May si “z. May”. Por, ai refuzoi të reagonte ndaj provokimeve, megjithëse trokitja e tij ritmike të stilolapsit mbi fletore, ishte e vetmja shenjë e jashtme e irritimit që ai do të shfaqte. Ndonëse Millosheviqi vazhdoi të refuzonte për t’iu drejtuar gjyqtarëve në mënyrën e zakonshme, sjellje e cila ishte manifestimi i sfidës së tij ndaj autoritetit dhe legjitimitetit të TPNJ-së, studiuesi austriak, Joseph Marko, profesor Emeritus i së Drejtës Publike Krahasuese dhe Shkencave Politike në Universitetin e Gracit në Austri, 20 vjet më parë po përgatiste një raport të dëshmitarit ekspert të kërkuar nga Zyra e Prokurorit (ZP) të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) në përgatitje për akuzën dhe procedurat kundër Millan Militunoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Nikolla Shainoviqit si dhe kundër Sllobodan Millosheviqit.

Nuk ishte e rastësishme përse TPNJ-ja e përzgjodhi profesor Markon për të hartuar opinionin e dëshmitarit ekspert, përmes të cilit do të ofrohej një pasqyrë e kontekstit historik të zhvillimit të sistemit kushtetues të Republikës Jugosllave Federative të Jugosllavi (RSFJ) dhe e statusit kushtetues të Kosovë brenda sistemit federativ jugosllav deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991 dhe miratimin e Kushtetutës së re të Republikës Federative të Jugosllavisë së mbetur (Serbi, Mali i Zi) të vitit 1992. Marko është një njohës brilant i Ballkanit, pasi në vitet 1997-2002 kishte shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, pastaj president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit si dhe këshilltar politiko-juridik për reformën kushtetuese në Bosnjë dhe Hercegovinë për përfaqësuesin e Lartë Schwarz–Schilling në vitet 2006-2007.

Meqë profesorit Marko nga fillimi i ishte bërë e qartë se TPNJ praktikonte rregullat e procedurës penale anglosaksone, që do të thoshte se gjyqtarët zyrtarisht nuk lexojnë asgjë paraprakisht për kontekstin historik dhe politik, por dëgjojnë dhe përfundimisht vlerësojnë të gjitha ato që në gjuhë ligjore quhen “fakte të vërtetuara” në bazë të prezantimeve gojore të dëshmitarëve të sjellë si ngaprokuroria, ashtu edhe nga avokatët mbrojtës, ky raport i dëshmitarit ekspert ofron një kontekst më të gjerë historik, politik dhe juridik të rrënimit të autonomisë së Kosovë të garantuar sipas Kushtetutës Federative të Jugosllavisë të vitit 1974 dhe të shkeljes së detyrimeve dhe së drejtës ndërkombëtare nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia e mbetur.

Presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, u drejtohet mijëra përkrahësve të tij në Beograd, shkurt 1989 (Foto: Martin Claever – Associated Press) 

Sipas autorit, publikimi i raportit dëshmitar ekspert pothuajse njëzet vjet më vonë, të përgatitur dhe përkthyer në shqip nga profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Dr. Arben Hajrullahu, dhe mbështetur nga Fondacioni “Konrad Adenauer” në Kosovë, i shërben një qëllimi të dyfishtë: Së pari, kur gjyqtarët e vetëm ose panelet e gjyqtarëve “përcaktojnë faktet” raporti do të tregojë se vendimi për atë që është e vërtetë apo jo nuk është e lehtë. Kështu, gjatë leximit të aktgjykimeve kundër Milan Milutonoviqit dhe Slobodan Milosheviqit dhe arsyetimit ligjor të batuar në dëshmitë dhe ekzaminimin e kryqëzuar të dëshmitarëve okularë, ky raport do të ndihmojë për t’i kuptuar jo vetëm ndërlikimet e sistemit anglosakson procedurës penale, por aq më tepër për të kuptuar detajet faktike të përmendura nga këta dëshmitarë me më shumë apo më pak saktësi dhe provat faktike të munguara dhe të nevojshme për të siguruar një pasqyrë të plotë të ngjarjeve përtej akteve të vetme dhe të fragmentuara të vlerësuara nga gjyqtarët nëse kanë qenë vepra penale individuale apo jo.

Nënçmimi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës

Rëndësia e përmbajtjes në këtë studim qëndron në shqyrtimin e detajuar të procesit të shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga viti 1989 dhe për ndikimet që pati në zhvillimet politike në rajon. Ky raport nuk fokusohet vetëm në ngjarjet historike dhe kushtetuese që ndodhën gjatë kësaj periudhe, por gjithashtu shqyrton pasojat afatgjata për idenë e integrimit evropian të rajonit. Përmes analizave të ekspertit Joseph Marko, theksohet se si ndryshimet kushtetuese të imponuara nga Serbia dobësuan autonominë e Kosovës dhe krijuan një precedent të dëmshëm për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet drejt integrimit evropian. Në këtë kontekst, përmbajtja e studimit është e rëndësishme, sepse ofron një pasqyrë të hollësishme të asaj që ndodhi ligjërisht dhe politikisht në Kosovë.
Marko thekson se heqja e autonomisë së Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit ishte një akt i dhunshëm dhe unilateral që sfidoi balancën delikate të marrëdhënieve etnike dhe politike në Jugosllavi. Ky veprim jo vetëm që nënçmoi të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu rriti tensionet dhe polarizimin etnik në rajon. Sipas tij, kjo masë represive u pasua nga politika të asimilimit dhe shtypjes, që çuan në një përkeqësim të situatës njerëzore dhe politike në Kosovë. Marko thekson se ky veprim nga regjimi i Millosheviqit pati pasoja të thella dhe afatgjata, jo vetëm për situatën brenda ish-Jugosllavisë, por edhe për perspektivat e saj evropiane.

Raporti i dëshmitarit, ekspert për çështje kushtetues dhe juridike, është i konceptuar në tri pjesë: Rrënimi i autonomisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ku krahas zhvillimeve kushtetuese në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, trajtohen programet, ligjet dhe vendimet e Serbisë për heqjen e autonomisë së Kosovës. Në pjesën e dytë, autori trajton pozitën dhe kompetencat e organeve të ndryshme shtetërore sipas Kushtetutës së Serbisë të vitit 1990 dhe Kushtetutës së Jugosllavisë së mbetur të vitit 1992 dhe legjislacionin përkatës. Ndërkaq, në pjesën e tretë, kryesisht ndalet rreth detyrimeve ndërkombëtare që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare në lidhje me luftën e Kosovës, duke u ndalur kryesisht te rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Sigurimit.

Dëshmia e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Një shembull që e trajton temën e raportit të dëshmitarit ekspert, përkatësisht shfuqizimin e autonomisë territoriale të Kosovës të garantuar sipas kushtetutës federative jugosllave të vitit 1974, duhet të mjaftojë për qëllim të ilustrimit.
Më 3 maj 2002, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u thirr për të dëshmuar dhe për të raportuar për ngjarjet në lidhje me debatin parlamentar në Kuvendin e Kosovës për “pezullimin e statusit federativ të Kosovës, përkatësisht statusit autonom të Kosovës” më 28 mars 1989. Sipas autorit të raportit, Rugova raportoi se u morën “masa të posaçme apo masa të jashtëzakonshme” me “suspendimin e disa institucioneve” dhe “vënien në kontroll policor të Kosovës.” Në këtë kuadër, autori nënvizon se përpjekjet e para për ndryshimin e Kushtetutës së RSFJ-së ishin në vitin 1987 me qëllim për të kapërcyer gjoja asimetrinë e Kushtetutës së RSFJ-së. Derisa ndryshimet e miratuara në vitin sollën ndryshime të vogla dhe lanë të paprekura institucionet dhe kompetencat e KSA-ve, në procesin paralel të ndryshimit të Kushtetutës së RSS-së në 1988 dhe 1989, shumë kompetenca dhe institucione të KSA-ve do të kalonin vë varësi të institucioneve të Serbisë.

Ndryshimet jolegjitime kushtetuese pas gjendjes së jashtëzakonshme

Por, Marko argumenton mungesa e legjitimitetit të këtyre ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në mars 1989 vjen për faktin se ndryshimi kushtetues ndodhi pasi ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Sipas autorit, janë edhe dy faza të cilat shënojnë stacionet e degradimit të Kushtetutës së Kosovës, miratimi i Kushtetutës së re të Serbisë në shtator 1990, sipas së cilës në mënyrë drastike dobësuan kompetencat e Kosovës, duke e ulur nivelin autonomisë nën nivelin e vetëqeverisjes lokale, ndërsa me Kushtetutën e vitit 1992 të Jugosllavisë së mbetur nuk përmendet më Kosova as si krahinë autonome.

Marko, po ashtu, argumenton se shfuqizimi i autonomisë së Kosovës në vitin 1989 ishte një akt represiv që ndryshoi rrënjësisht marrëdhëniet etnike dhe politike në Jugosllavinë e atëhershme federative, duke shkaktuar në rend të parë, tensione etnike, shpërbërjen e institucioneve dhe serbizimin e tyre, si dhe migrimin masiv të popullatës shqiptare. Sipas autorit, ligji për rrethanat e jashtëzakonshme i vitit 1990, e bëri zyrtarizimin e ushtrimit të pushtetit të Serbisë mbi Kosovën, duke kulmuar me Ligjin për ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) të Kosovës, Ligjin për pezullimin e Kryesisë së Kosovës, shkarkimin e anëtarëve nga Kosova në Kryesinë e RSFJ-së dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe të Ligjit për marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme.

Joseph Marko thekson se heqja e autonomisë së Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit ishte një akt i dhunshëm dhe unilateral që sfidoi balancën delikate të marrëdhënieve etnike dhe politike në Jugosllavi. Ky veprim jo vetëm që nënçmoi të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu rriti tensionet dhe polarizimin etnik në rajon 

Kushtetuta e re e Serbisë për suspendimin e autonominë së Kosovës

Këto ligje diskriminuese dhe kundër popullatës shqiptare u pasuan me 500 vendime të Kuvendit të Serbisë, të cilat prekën të gjitha sferat e shoqërisë në Kosovë. Sipas autorit, këto ligje dhe rregullore administrative rezultuan me heqjen totale të autonomisë së Kosovës. Rrjedhimisht, me kushtetutën serbe të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës nuk kishte më fuqi legjislative kompetencat e Kosovës u ishin nënshtruar plotësisht atyre të Serbisë, ndërsa Kushtetuta e Kosovës ishte shndërruar në “statut”, i cili do të mund të hynte në fuqi vetëm me pëlqimin e Kuvendit të Serbisë. Përfundimi i autorit është se mënyra e heqjes së autonomisë së Kosova nga Republika e Serbisë përbënte shkelje të Kushtetutës së RSFJ-së, sepse në këtë mënyrë Serbia mori kompetenca që Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 nuk ia jepte asaj. Në mënyrë paradoksale, përmes manipulimit politik dhe duke luajtur kartave e të drejtave të serbëve, Millosheviqi, nga njëra anë, e përdori Kushtetutën e re të Serbisë për ta suspenduar autonominë e Kosovës, të cilën ia garantonte Kushtetuta e RSFJ-së, por në anën tjetër, e përdori statusin e Kosovës si njësi federale për të kontrolluar katër vota (Serbi, Mali i Zi, Kosovë dhe Vojvodinë) në Kryesinë e RSFJ-së të përbërë nga tetë anëtar.

Plani me kthimin e 400 mijë serbëve në Kosovë

Ishte kjo periudha kur Millosheviqi rivendosi një sistem ligjor dhe kushtetues të ngjashëm me atë të Mbretërisë Jugosllave, ku shqiptarëve ua mohonte çdo të drejtë politike, kombëtare dhe kulturore. Në fakt, një diskurs i tillë represiv dhe kolonizues nisi që në mars të vitit 1990, kur Kuvendi i Serbisë miratoi “Programin për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit të KSA të Kosovës” dhe “Planin Operativ” të cilat parlamenti serb i miratoi në mars të vitit 1990, u zhvillua një qasje sistematike për t’i kaluar në varësi të institucioneve përkatëse të Republikës së Serbisë e shtetit, ekonomisë dhe arsimit të Kosovës. Ky program legjislativ dhe masat e tjera represive ndaj Kosovës edhe në shikim të parë dukeshin reagime ad hoc ose spontane, ato ishin aksione të planifikuara sistematikisht dhe kishin për qëllim të ndryshonin ekuilibrin etnik duke ofruar një program kthimi të 400 mijë serbëve dhe malazezve që kishin emigruar nga Kosova në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, ky legjislacion antishqiptar mëtonte të siguronte që shumica shqiptare në Kosovë të mbetej politikisht e pafuqishme, përderisa përfaqësimi i saj do të barazohej me përfaqësimin e pakicave. Nga një vështrim i përgjithshëm i të gjithë këtyre masave, autori konstaton se të gjitha institucionet politike, ekonomike, sociale dhe arsimore të Kosovës duhet t’u nënshtrohen institucioneve përkatëse të Serbisë, megjithëse kjo shpesh shprehet në mënyrë eufemiste në termat e “bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës” Ishte kjo politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës si pjesë e doktrinës antishqiptare, e cila ishte afishuar edhe përmes objektivave të Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe që synonte të realizonte dy objektiva kyçe: centralizimin e Serbisë dhe centralizimin e Federatës Jugosllave. Derisa objektiva e tij dështoi shkaku se republikat ish-jugosllave njëra pas tjetrës e braktisën e federatën, Millosheviqi arriti ta centralizonte Serbinë duke përdorur si instrument pakënaqësinë e serbëve të Kosovës, me qëllimin për t’i mobilizuar serbët politikisht dhe për të justifikuar ndryshimet në statusin e Kosovës. Këto metoda të veprimit politik, të cilat përdoren edhe sot në veri nga presidenti serb, nga poshtë-lart përmes trysnisë së rrugës, e njohur në sociologji si “ligji i turmës”, u karakterizuan nga Millosheviqi si “ndodhi e popullit” që nënkuptonte jetësimit të strategjisë së komunikimin e serbëve të Kosovës vetëm përmes Beogradit dhe padëgjueshmëri ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe kultivimin e narracionit të viktimizimit të serbëve lokalë.

Slobodan Millosheviqi arrin në Prishtinë në kohën e demonstratave të minatorëve pas ndryshimeve kushtetuese, dhjetor 1988 (Petar Kujunxhiq – Reuters)

Restaurimi i dominimit kushtetues të Serbisë mbi Kosovën u realizua përmes miratimit të akteve të para të legjislacionit serb për Kosovën, duke shpalosur haptazi një program publik të dominimit dhe diskriminimit etnik të shqiptarëve. Kjo situatë në Kosovë ngjasonte asaj të periudhën midis dy luftërave botërore, kur Serbia po përpiqej të dëbonte shqiptarët jashtë Kosovës dhe ta serbizonte atë dhe në këtë mënyrë ta realizonte idenë e ndryshimit të strukturës demografike të Kosovës, duke e populluar Kosovën me popullsi sllave si dhe duke ofruar një program për vendosjen e serbëve dhe malazezëve që ishin larguar nga Kosova në periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Autonomia e Kosovës për Serbinë ishte një problem i madh, sepse siç thoshte historiania serbe, Latinka Peroviq, “realizimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës përjetohej si shkatërrim i Serbisë, si shpërbërje e unitetit dhe territorit të saj”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 
© KOHA Ditore

SHKARKO APP