Anëtarë të rinj i bashkohen PS-së, Veliaj: Bëtë zgjedhjen e duhur, nuk do ju tradhtojmë
Ish-anëtarë të PD dhe të LSI në Njësinë 4 në kryeqytet ia janë bashkuar Partisë Socialiste. Ky fakt u bë i ditur nga vet kryetari i bashkisë së Tiranës, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit iu premtoi se PS nuk do t’i zhgënjejë kurrë.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar nga PD sot, dhe të gjithë ata që e kanë kuptuar se për sa kohë ju kemi shërbyer me dinjitet, kur ishit përballë, tani që iu bashkuat familjes tonë do t’ju shërbejmë edhe më shumë. Për të gjithë ata që na janë bashkuar nga LSI-ja, nga PDIU-ja, mirëserdhët në familjen që nuk ju tradhton kurrë! Në një moment të jetës së tyre besuan se këto parti ishin prej vërteti, por kur i panë që tradhtuan çdokënd, kur e panë që ua përdorën fëmijët si mish për top për të kapur makina, kur e panë që ua përdorën burrat mish për top për të kapur vila, kur e panë që lanë Parlamentin, lanë Bashkitë, lanë zgjedhjet, pra lanë punën për të cilin ishin votuar, votuesit e tyre bënë zgjedhjen e duhur dhe erdhën në familjen tonë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se diferenca mes palëve është e qartë. Ai nënvizoi se PS është forca politike që ka ende shumë për të bërë. “Saliu, i cili mbajti peng gjyshërit tanë, prindërit tanë, moshën tonë dhe tani edhe fëmijët tanë që sapo kanë lindur, nuk mund të kthehet për herë të tretë në Shqipëri. Diferenca mes nesh dhe atyre nuk është sa gjëra kemi bërë dhe sa ata kanë shkatërruar, por sa na hanë duart që të bëjmë, sa projekte kemi, sa ëndrra kemi akoma, sa ide kemi akoma dhe sa plane kemi akoma. Kjo është diferenca, në ambicien tonë të lartë që kemi. Unë besoj fort që, në qoftë se ne me këtë frymë që kemi ecur deri më tani vazhdojmë dhe mandatin e tretë, qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë për këtë vend”, pohoi ai.