Anëtarësimi i Kosovës në NATO/ Osmani letër Presidentit Biden: Europa po jeton kohërat më të rrezikshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një letër dërguar homologut amerikan, Joe Biden, thotë se integrimi euro-atlantik i Kosovës është prioritet kyç i sigurisë kombëtare. Për të Europa po jeton në kohërat më të rrezikshme, dhe shton se Kosova është e ekspozuar nga përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor
“Evropa është duke u përballur me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Teksa ndajmë synimin e përbashkët për mbrojtje dhe promovim të sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë domosdoshmëri. Argumentet kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO shpërfillin këtë nevojë për siguri në Ballkanin Perëndimor dhe nuk shërbejnë në interes të botës së lirë demokratike, e cila është duke u rrethuar nga tendenca autoritare dhe politikat e tyre agresive”.
Sipas Osmanit, Kosova e ka dëshmuar disa herë pse e meriton të jetë pjesë e Aleancës veri-atlantike dhe ka përmendur se Kosova është shteti më pro-amerikan dhe më pro-NATO në botë.
NATO-ja ka 30 vende anëtare. Nga vendet e rajonit, pjesë e saj janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Më 9 mars, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.