
Anija tregtare “Aroyat”, e cila u godit nga një sulm me dronë pranë portit rus të Novorossiysk, ka kaluar nëpër Ngushticën e Bosforit në drejtim të Aliağas, ku do të kryhen procedurat e çmontimit. Në sulm humbi kontaktet me shqiptarin Erkan Nika, i cili shërbente si inxhinier i dytë në bord. Anija mallrash “MV Aroyat”, me flamur të Palaut dhe e administruar nga një kompani turke, ka mbërritur në fazën e fundit të udhëtimit drejt Turqisë, pasi u dëmtua rëndë nga një sulm me dronë ukrainas në Detin e Zi.
Anija 148.17 metra e gjatë dhe 22.8 metra e gjerë kaloi nëpër Ngushticën e Bosforit, e shoqëruar nga rimorkiatori “Eren Enerji IV”, në drejtim të kantierëve të çmontimit të anijeve në Aliağa, në provincën e Izmirit. Për shkak të kalimit të saj, trafiku detar në Bosfor u pezullua përkohësisht. Lëvizja e anijes u filmua edhe nga ajri.
“Aroyat” u godit në fund të muajit shtator, ndërsa ndodhej pranë portit rus të Novorossiysk. Sulmi shkaktoi një zjarr në pjesën e pasme dhe në ambientet e banimit të anijes, i cili u vu nën kontroll nga ekuipazhi. Disa pjesëtarë të ekuipazhit mbetën të plagosur. Mes personave që humbën kontaktet pas sulmit ishte edhe inxhinieri i dytë shqiptar, Erkan Nika, i cili ra në det. Pavarësisht operacioneve të kërkim-shpëtimit, ai nuk u gjet.
Anija u tërhoq me rimorkiatorë drejt brigjeve të Giresunit, në Turqi, ku u ankorua në një zonë të sigurt pranë shkëmbinjve Palamut. Autoritetet kryen edhe një tjetër operacion të gjerë kërkimi në dhomën e motorëve dhe ambientet e mbyllura të anijes, por pa rezultat për gjetjen e inxhinierit shqiptar. Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe ekspertizës teknike për vlerësimin e dëmeve, u konstatua se anija nuk mund të riparohej. Për këtë arsye, u mor vendimi për dërgimin e saj në çmontim në Aliağa. Fati i Erkan Nikës mbetet i paqartë, pasi kërkimet e zhvilluara pas sulmit nuk dhanë rezultat.
