Anija me mbetjet nga Durrësi në Tajlandë, reagon Dogana e Kosovës: S’ka eksport të mbeturinave të rrezikshme

Dogana e Kosovës ka reaguar në lidhje me anijen me mbetje toksike, çështje për të cilën Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet. Dogana thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.

”Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:  Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media. Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thuhet nga Dogana e Kosovës.

Po ashtu nënvizohet se koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi. “Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siq i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça. Ky institucion thotë se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Legjislacioni që rrjedhë nga Konventa e Bazelit për Mbetjet e Rrezikshme aplikohet tek mbetjet dhe jo tek lënda e parë që eksportohet. Eksporte te ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, shton dogana.

SHKARKO APP