Anila Denaj: Grant deri në 50% për modernizimin e fermave, afati i aplikimit deri më 30 shtator
Fermerët që zotërojnë ferma bujqësore apo blegtorale mund të përfitojnë deri në 50% grant për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës, në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se kjo mbështetje synon të ulë kostot dhe kohën e prodhimit, të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e produkteve, si dhe të forcojë konkurrueshmërinë e fermerëve në treg.
Sipas saj, skema ofron financim deri në 50% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt. Për më shumë financim, fermerët mund të kombinojnë grantin me Kredi të Butë me interes vetëm 2% dhe garancinë sovrane që mbulon 70% të kolateralit.
Afati i aplikimit është deri më 30 shtator 2025, ndërsa programi përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor, duke hapur rrugën për një bujqësi më moderne, produktive dhe konkurruese.

