“Anti-shpifja”, Godole: Ngjarje e trishtuar, shmangu vëmendjen nga tërmeti. I kthehemi këtij modeli 30 vite pas diktaturës
E ftuar në studion e emisionit “Kjo javë”, të gazetares Nisida Tufa, në “News24”, Jonila Godole, gazetare, shkrimtare e përkthyese e konsideroi një ngjarje të shëmtuar votimin në parlament të të ashtuquajturës paketa antishpifje. Sipas saj, kjo është një ngjarje e trishtuar për gjithë botën e medias në Shqipëri, dhe se u bë për të shmangur vëmendjen nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Një ngjarje shumë e trishtuar për gjithë botën e medias në Shqipëri, po shumë më tepër për opinionin publik. Për mua nuk mund të them që ishte e pabesueshme, edhe pse shumë nga kolegët nuk e kanë besuar që me gjithë këto kritika që ky ligj është shoqëruar, shumë thonin nuk ka për të kaluar. Duke parë c’ndodhi këtu pas daljes së opozitës nga parlamenti, dhe që unë nuk e besova asnjëherë se do të kishim një parlament me thuajse vetëm një parti aty, si në një shtet monist, për mua kjo ka qenë e pabesueshme dhe e kam pritur deri në korrik që kjo situatë të ndryshonte, por nuk ndryshoi dhe pas asaj thash është e mundur të ndodhë gjithçka këtu. Për mua kjo ishte e pritshme edhe për një arsye tjetër.
Duke qenë se kemi patur edhe situatën e pas tërmetit, do të ishte mirë që vëmendja të shmanget pak edhe nga tërmeti dhe gjithë opinioni publik tani po merret me ligjin këto ditë, duke lënë paksa në harresë tërmetin dhe pasojat që ai solli, të cilat ishin pasoja më të larta dhe më të mëdha nga sa lidhen me shkaqet gjeografike, por ajo që ndodhi nuk ishte thjesht pasojë e katastrofës, ishte pasojë e përgjegjësive, sa i përket kushteve të ndërtimit, mënyrës si ndërtohen dhe që askush nuk mban përgjegjësi për këtë.
Kështu që në vend që të merreshim me përgjegjësitë e atyre, gjejmë situata të reja, në këtë rast kishim këtë ligj për të shmangur vëmendjen. Nga janari nuk i dihet se çfarë ndodh prapë, dhe ne kështu kalojmë nga katastrofa në katastrofë dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kjo ishte shqetësuese për mua, ishte e pritshme që do gjendej një situatë prapë për të kaluar nga tërmeti dhe tani me shumë ngut u miratua paketa antishpifje. Ka shumë pika që më shqetësojnë por e para është përse ky ngut? Pyetja e parë që unë do të kisha si eksperte e medias, si gazetare e vjetër, si pedagoge nga viti 2005, përse ky ngut kur të gjithë aktorët e interesit janë kundër, janë kritikë, kur institucione brenda dhe jashtë vendit por sidomos edhe ato ndërkombëtare janë shumë kritik, përse maxhoranca e votoi me kaq ngut atë.” tha ajo, ndërsa theksoi se mbetet skeptike se me kalimin e këtij ligji.
“Unë jam shumë skeptike me të gjitha llojet e ligjeve që censurojnë median, fjalën e lirë, shprehjen e mendimit të lirë sidomos mendimit kritik. Do të ishte absolutisht për vetërregullim të medias, një shtet në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërhyjë te media, duhet ta lerë atë që media përmes mekanizmave vetërregullues të reflektojë se si tani psh. në epokën e post të vërtetës që ne e quajmë dezinformimit, që gjithnjë ka ekzistuar por tani përmes rrjeteve sociale, platformave on line shpërndahet më tepër dhe dëmi mund të jetë më i madh. Pra në këtë epokë, patjetër që grupet e interesit, që aktorët e përfshirë, duke nisur nga media, duhet të ulen e të mendojnë si duhet të reflektojmë ne.
Çfarë paketash, çfarë kodesh po themi etike, duhet të ndjekim, në mënyrë që mos cënohet opinioni publik, nga shpifja nga lajmet e rreme. Po kjo nuk është detyra e shtetit, në asnjë mënyrë. Ne e kemi patur një përvojë të tillë, në 50 vite diktaturë, ku udhëheqësi dhe një grup i vogël njerëzish vendosnin se kush do të ishte lajmi që do i kalonte publikut përmes një sistemi të fortë propagande ku media ishte thjesht një fasadë për të mbuluar këtë anën represive të sistemit që ishte atëherë. Si ka mundësi që vetëm 30 vite pas rënies së diktaturës t’i kthehemi këtij modeli.” -vijoi më tej Godole.
“Besoj Presidenti do ta kthejë këtë ligj, por kjo nuk do të thotë asgjë pasi unë jam e sigurt që maxhoranca e vetme, qeveria gati moniste që ne kemi, më vjen keq që e përdor këtë term, nuk e kisha menduar asnjëherë që në vitin 2019 – 2020 do të flisja prapë për qeveri moniste, për parlament që nuk ka pluralizëm, unë mendoj që ata do ta kalojnë ligjin dhe t’i qëndrojnë atij ligji, pasi kështu po duken gjasat, dhe për mua nuk ka të bëjë me shpifjen pasi shpifja ka ekzistuar gjithmonë, po për mua këtë e vendos gjykata, nuk ka lidhje parlamenti të votojë ligje të tilla, nuk ka lidhje media të merret me këto gjëra, çdo gjë është e sanksionuar dhe nuk është pjesë e medias.” – tha ajo.
Gjithashtu, Godole foli dhe për çmimet që ka marrë, teksa tha se “Çmime kam marr shumë në jetën time profesionale, si shkrimtare, përkthyese edhe si gazetare dikur edhe pse më pak, po ky nuk ishte një çmim ishte një dekoratë dhe ishte paksa e veçantë, pasi mendoja që dekoratën e kisha menduar, në një kohë tjetër, në një moshë tjetër. Ata që më dhanë këtë dekoratë e kanë vlerësuar kontributin që në gjithë këto vite, dekadën e fundit unë edhe një grup njerëzish kemi dhënë për sjelljen afër publikut shqiptar të shpirti austriak, në kulturë letërsi, art, jashtë burokracisë dhe më tepër në bashkimin e dy popujve.
Unë personalisht kam përkthyer një sërë autorësh që i kam sjell në shqip, jo vetëm në prozë edhe në dramë që janë vendosur edhe në skenat tona, por ka edhe kolegë të tjerë që e kanë bërë këtë gjë kështu që do thosha që letërsia austriake në vitet e fundit ka qenë më afër publikut shqiptar. Por e mira nuk ka fund, shumë mbetët për t’u bërë, por jam ndjerë e vlerësuar që një shtet i huaj sheh, mendon e vëzhgon ata persona që përhapin kulturën e tyre, do të ishte mirë që të njëjtën gjë të bënte edhe Shqipëria, në vendet ku jemi për ata persona që japin kontributin e tyre. Ndjej se i kam një borxh kulturës austriake, pasi në thelb akoma nuk i kam dhënë asaj ato vepra të atyre 2-3 shkrimtarëve që kam dashur t’i jap, që për arsye të ndryshme, më tepër financimi akoma nuk janë botuar në gjuhën shqipe.”