“Anti-Shpifja”, Lubonja i kthehet deputetit të PS: Këto që the ti mo s’kanë të bëjnë fare me…
Vendimi i mazhorancës për t’u tërhequr nga votimi i paketës antishpifje, derisa të flasë Komisioni i Venecias, është shoqëruar me debate në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.
Deputeti socialist, Alket Hyseni, tha në studio se ligji parashikon tre raste, kur merret masa për mbylljen e një portali. Por, teksa përmendi këto raste, ndërhyri analisti Fatos Lubonja, i cili tha se asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë me shpifjen.
Pjesë nga debati:
Lubonja: Në një vend si Shqipëria është problem mungesa e gazetarisë së vërtetë, veçanërisht asaj investigative, që duhet të luftojë lidhjet e politikës me mafien, që janë katastrofike, siç pamë dhe me ngjarjen e fundit në Shijak. Për këtë kërkohet inkurajim, por ju nuk e bëni dot.
Hyseni: Po e bëjmë me rregullimin e ligjit. Kemi tre raste, njëri kur ka pornografi, ku ne duhet të ndërhyjmë për të mbrojtur fëmijët; rasti i dytë ka të bëjë me sigurinë kombëtare; rasti i tretë është për terrorizmin. Këto janë rastet, kur bllokohet portali, ndërsa në asnjë rast tjetër nuk mbyllet.
Lubonja: Këto që the ti nuk janë shpifje fare, kanë të bëjnë me nxjerrje sekreti, por jo me shpifjen. Ky ligj nuk është bërë për këtë mo, është për shpifjen.
Hyseni: Gjithë bota këtë po bën, interesat kombëtare cenohen nga shpifja.
Dashamir Shehi: Shqipërisë hallin më të madh ja bëjnë kryeministrat. Po i vika rreziku botës nga portalet shqiptare.