“Anti-shpifja”, Paloka i kthehet Ramës: Përdor “të huajt” kur i shkojnë pas fijes
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka iu është bashkuar reagimeve në lidhje me ligjin e ri për mediat, të ashtuquajtur paketën “Anti-shpifje”, ndërsa nuk ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Paloka thekson se Rama përdor të huajt atëherë kur i duhen, ndërsa bën veshin e shurdhër sipas tij, kur nuk i pëlqen qëndrimet e tyre.
Sipas Palokës, Rama po kërkon me patjetër ta kalojë nesër në parlament ligjin për mediat, megjithëse shton se janë me dhjetra organizatat ndërkombëtare që e kanë kundërshtuar përfshi OSBE apo Komisionin Evropian.
“Rama po vërteton së fundmi dhe një fakt (që unë e kam deklaruar kohë më parë); ai i përdor “të huajt” atëherë kur i duhen, apo kur i shkojnë pas fijes, por i bën veshët shurdh kur qëndrimet e tyre nuk i pëlqejnë. Kështu, i njëjti që ka për borxh të të përmendi dhe deklarata të përkthyesve të ambasadave kur i leverdis, as nuk i dëgjon e as nuk reagon ndaj qëndrimeve të institucioneve qendrore ndërkombëtare. Këtë po bën Rama dhe me ligjin për censurimin e mediave që kërkon me patjetër ta kalojë nesër në atë palo parlament, megjithëse janë me dhjetëra organizatat ndërkombëtare që e kanë kundërshtuar, përfshi dhe OSBE-në, apo Komisionin Evropian. Po mbase Rama nuk i konsideron të mirëqena deklarimet dhe qëndrimet nga qendrat e këtyre organizmave ndërkombëtare, nëse nuk reagojnë përfaqësitë e tyre diplomatike në Tiranë…!”, tha Paloka.