Antikanabis, FNSH operacion sekret në Kolonjë
Një aksion antikanabis në terren ku morën pjesë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë është ndërmarrë në Kolonjë gjatë ditës së djeshme, 22 gusht 2016, duke përfunduar me zbulimin dhe asgjësimin e 17. 550 bimëve të dyshuara si narkotike Cannabis Sattiva.
Policia e Korçës informoi sot me zbulimin e parcelave me kanabis në “një masiv pyjor, rreth 2 km mbi fshatin Qinam-Radovickë, në kufi me rrethin e Përmetit”.
“Bimët narkotike u asgjësuan në vend, duke u shkulur, prerë dhe me anë të djegies me zjarr”, informon më tej policia.
Pjesë e operacionit së bashku me forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës kanë qenë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të cilat janë nisur nga Tirana por dhe SHÇBA (Shërbimi për çështjet e Brendshme dhe Ankesat), e cila kishte nisur më parë procedim penal.
Operacioni është mbajtur sekret për të parandaluar rrjedhjen e informacionit pasi dyshohet se punonjës lokalë të policisë kishin bashkëpunuar me narkotrafikantët.
Dyshohet se mes tyre është shkëmbyer informacione dhe duke dhënë informacione të rreme në lidhje me parcelat e kanabisit. Kjo është dhe arsyeja që SHÇBA ka nisur procedim penal.
KOHA JONË SONDAZH

