Antikorrupsioni, Krasniqi: Hetimi të nis nga vilat dhe pasuritë e politikanëve

Në të gjitha raportet pas viteve ‘90 lufta ndaj korrupsionit mbetet kërkesë kryesore nga të gjithë ndërkombëtarët, por ndërkohë, ekziston edhe një qasje tjetër ndaj korrupsionit, që e cilëson atë si “lubrifikantin e motorit” të shtetit. Analisti Afrim Krasniqi, thotë se progresi i Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit është krejtësisht minimal.

”Pavarësisht se u kërkua peshku i madh, pavarësisht se u kërkua të kontrollohen orët e shtrenjta të politikanëve dhe të gjyqtarëve e prokurorëve, sot, pas 4 vitesh, nuk kemi asnjë zyrtar të lartë përpara drejtësisë për korrupsion, pavarësisht se kemi zyrtarë të lartë në listën e zezë amerikane. Mesazhi i sotëm i ambasadores amerikane vjen si një thirrje e dëshpëruar që Shqipëria të ndryshojë. Përgjigja që mori sot nga politika është tipike e asaj që ofron sot Shqipëria, imunitet dhe amnisti. Të ecësh pas 6 vitesh me sloganin: Fajin e ka sistemi dhe nuk e kanë individët dhe të marrësh si pikë reference skandalin e asaj që ndodh në Vlorë, ku brenda pak vitesh janë ndryshuar shumë drejtorë.

Për çfarë? Për konfliktin mes një personi që ka përkrahjen e plotë shtetërore dhe të niveleve të larta të ekzekutivit dhe të një individi tjetër, i cili kërcënon çdo drejtor tjetër aty. Dy palët që kërcënojnë dhe në vend që të vendos drejtësia dhe që qeveria të jetë denoncuese e dhunës nga secila palë, arrin deri atje sa pranohet si standard dhe thuhet se edhe Gjermanët në këto situata do të tërhiqeshin. Shqipëria duhet të mësonte nga skandali i Vlorës për të kuptuar se e gjithë retorika antikorrupsion ka qenë një dështim. Progresi i Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit është krejtësisht minimal”,- tha ia në ”A2cnn”.

Sipas tij, antikorrupsioni nis nga hetimi i vilave dhe pasurisë së politikanëve. ”Pse nuk shkojmë tek vilat e politikanëve dhe t’u kërkojmë kush është burimi i pasurisë së tyre, i blerjes së tyre, i vilave të tyre dhe i jetës luksoze që ata bëjnë? Ditën e parë që të ndodhë kjo gjë, ajo do të jetë dita e parë e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, e ndryshimit real dhe dita kur Shqipëria do të tregojë se ka kapacitete për të shkuar drejt BE-së. Nëse kjo nuk ndodh, gjithçka tjetër është e mbyllur. Vetë fakti që kryeministri tha sot se nuk janë politikanët pjesa më e korruptuar e Shqipërisë, është një ftesë e të njëjtëve për të bërë koalicion kundër drejtësisë. Ky është një lajm i keq për Shqipërinë”,- shtoi më tej analisti.

SHKARKO APP