Antimafia sjell në Tiranë dosjen e përgjimeve, nis verifikimi i bisedave
Bisedat e përgjuara nga antimafia italiane në të cilat flitet për korrupsion me lejet e ndërtimit dhe me koncesionet në Tiranë tashmë janë në duart e prokurorëve shqiptarë. Antimafia ka dorëzuar në SPAK materialet e dosjes së saj të cilat po përkthehen për tua vënë në dispozicion prokurorëve që po ndjekin çështjen të cilët po koordinojnë veprimet hetimore me kolegët italianë për të gjetur nëse ka lidhje të grupit mafioz Ndragheta në Shqipëri.
Tirane- Antimafia italiane sjell në Tiranë dosjen me përgjimet ku flitet për korrupsion me lejet e ndërtimit dhe koncesionet në shëndetësi.
Vetëm pak ditë pas kërkesës së palës shqiptare autoritetet e Antimafias i kanë vënë në dispozicion zyrës së SPAK të gjithë dosjen voluminoze të kërkuar prej tyre e cila ka të bëje kryesisht me episodet kriminale që dyshohet se kanë ndodhur në Shqipëri.
Dosja, e cila mësohet se është ende duke u përkthyer do ti dorëzohet grupit të prokurorëve për të gjetur prova të reja që lidhin bisedat e përgjuara me episode konkrete në Shqipëri.
Deri tani hetimet janë regjistruar kryesisht për katër akuza të korrupsionit, pastrimit të parave dhe grupit kriminal, ndërsa nga prokurorët nuk është shënuar ndonjë emër personi të dyshuar.
Një ditë më parë kreu i SPAK së bashku me prokurorët e çështjes patën një takim në Itali në lidhje me këtë dosje.
Qëllimi i takimit ishte koordinimi i veprimeve hetimore mes dy prokurorive për zbardhjen e hetimit të fundit por edhe goditjen e krimit në tërësi.
Materialet e palës italiane do të verifikohen nga ana prokurorëve dhe me pas ato do vendosin nëse do ketë emra konkrete përsa i përket 4 veprave penale që institucioni i akuzës është duke hetuar për këtë çështje.
Një ditë më parë SPAK njoftoi zyrtarisht se e ka regjistruar procedimin kryesisht në datën 25 janar, vetëm një ditë pasi RTV Ora dhe Ora News kanë publikuar përgjimet.