Antishpifja, Cukali: Ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë ky ligj pengon integrimin në BE
Në seancën e parë parlamentare të sezonit të ri politik kryeministri Rama renditi disa prej pikave ku do të fokusohet dhe puna e qeverisë.
Ndër to ishte dhe miratimi i asaj që Rama e quan ligji antishpifje mbi mediat.
Në një intervistë për Ora News, drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali thotë se ky ligj bëhet vetëm për të vënë në kontroll median përpara zgjedhjeve të 2021.
Ai thotë se ambasadorët europianë ua kanë bërë të qartë deputetëve të qeverisë që Europa nuk e do këtë ligj dhe se pengon integrimin e Shqipërisë në BE.
Cukali: Është një dramë. E ka hedhur dhe Komisioni i Venecias. Në tokën tonë shërben si arbitri ligjor i problemeve. Kemi dy elementë, e para është nxitimi. Urgjenca për të bërë me ngut dhe fshehtas. Me këtë gjë jemi mësuar. Problemi më i madh është pse ky ligj duhet kaluar kur të gjithë kanë dalë kundër. Përgjigja është në të vërtetë dhe për nivelin e demokracisë në Shqipëri. Qeveria kërkon një mjet për të goditur mediat. E do këtë përpara zgjedhjeve. Edhe njerëzve që po merren me këtë ligj, parlamentarëve të partisë në pushtet u është bërë e qartë nga ambasadorë të vendeve europiane që Europa nuk e do këtë ligj. Për Europën ky ligj nuk duhet të kalojë dhe se ka shtete të BE-së që e kanë bërë kusht moskalimin e këtij ligji për integrimin e Shqipërisë.
Shtetet anëtare të BE-së kanë një problem me këtë ligj dhe rruga e Shqipërisë në këtë ligj mbyllet me këtë. Gjërat që kanë gjetur përballë është shurdhësia e mazhorancës. Kaq i nevojshëm është ky ligj përpara zgjedhjeve sa që nuk rrezikojnë edhe negociatat e Shqipërisë për të hyrë në BE. Ky ligj është shumë e qartë që bëhet për të kontrolluar mediat. Edhe në Komisionin e Venecias thuhet se mënyra se si është hartuar ky ligj, ata thonë që është i pandreqshëm. Thonë që ligji lë hapësira të mëdha për abuzime dhe censurë.
Ndërkohë këtë të dielë (13 shtator) përmes një postimi në Facebook, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje kryeministrit Rama që të tërhiqet nga ky ligj.
Ai shkruan që të mos ndjekë modelin e Presidentit të Bjellorusisë Lukashenko.