Anxhela Hasanllari, klithma e një nëne për dhimbjet e të birit…

Nga Albina Gjergji

 – Apeli i një nëne për shërimin e të birit, këmbanë për politikën shqiptare. 40 mijë euro vënë në pikëpyetje jetën e një fëmije 6-vjeçar – 

 

Kur të shkojë në shkollë, Learti do të mësojë shumë, sepse sipas tij vetëm duke mësuar në shkollë do mund t’i bëhet ndihmë mamit e nuk do ta lodhë më, siç ka bërë deri tani… Quhet Leart, por të gjithë e njohim si Leo. E njohim nga rrjetet sociale, e njohim nga mediat, e njohim nëpërmjet forcës së nënës së tij, e cila prej 6 vitesh po përjeton dhimbjen e madhe që vetëm një nënë mund ta përjetojë për të birin. Leart Hasanllari është vetëm 6 vjeç dhe që ditën e parë kur bota i uroi mirëseardhjen ka njohur vetëm dhimbje, fizike e shpirtërore. Ai vuan nga “osteogenesis imperfecta”, një anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve. Është operuar 7 herë, aq sa vite ka jetuar deri tani e nëse nuk ndërhyhet sa më shpejt në operacionin final, i cili do të kryhet në Greqi, Leo rrezikon të mbetet i paralizuar përgjithmonë. Data e operacionit është vendosur me 10 gusht e ndërsa prindërit e tij akoma nuk kanë arritur të mbledhin shumën e kërkuar nga doktorët apeli i nënës së tij, Anxhela Hasanllari kumbon në veshët e çdo qytetari të thjeshtë. Vetëm në ato të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, politikanëve e biznsmenëve duket se jo… Në përpjekjet e saj për të takuar z. Beqaj, znj. Hasanllari ka guxuar të shkojë në Kryeministri, në Parlament, në Ministri e vetëm pas një komunikimi me të është bërë e mundur që të dorëzojë të dhënat për të birin e sëmurë me shpresën se do ta ndihmojnë, por në fakt asgjë s’ka rezultuar siç ajo e kishte parashikuar, pasi z. Beqaj i ka mbyllur çdo rrugë komunikimi. Në intervistën e mëposhtme, Anxhela Hasanllari edhe pse ka humbur çdo shpresë apelon në thirrjen e radhës për ndihmë. I duhen plot 40 mijë euro që i biri të kryejë ndërhyrjen e fundit kirurgjikale. Deri tani nga kontributi i qytetarëve të thjeshtë ka mbledhur shumën prej 17 mijë eurosh, por ajo kërkon që shteti, apo bizneset t’i japin të paktën një dorë, në mënyrë që djali i saj të mund të jetojë si shokët, të ecë e të luajë si ata.   

Anxhela prej disa vitesh jeta juaj ka qenë e mbushur me sakrifica e sfida. Me ardhjen në jetë të djalit tuaj, i cili pasi lindi me disa kompikacione kockash, ju është dashur të luftoni dita-ditës për përmirësimin e shëndeti të Leartit. Konkretisht nga se vuan djali juaj?

Leo vuan nga osteogenesis imperfecta, paraplegji inferiore që në gjuhën tonë është dobësimi i kockave dhe deformimi i tyre.

Ku konsiston anomalia e Leos dhe çfarë trajtimesh i janë bërë deri më tani?

Problemi i Leos është vetëm tek këmbët. I ka të dyja këmbët njësoj me probleme. Trajtimet e Leos kanë filluar që kur ka lindur dhe deri tani i është nënshtruar katër operacioneve në Spitalin Ushtarak dhe herë pas here edhe fizioterapi. Në të njëjtën kohë kishte edhe shumë fraktura në njërën këmbë. Gjithsej ai ka 15 fraktura dhe po i njëjti shqetësim edhe në këmbën tjetër.

Pra që kur ka lindur, djali i është nënshtruar sa operacioneve dhe cili ka qenë rezultati?

Nga katër ndërhyrjet që ka bërë në Shqipëri, ai nuk ka pasur asnjë rezultat. Për më tepër atij i dëmtuan edhe damarin kryesor gjatë një operacioni në thembër të këmbës. Katër operacione i ka kryer në Shqipëri dhe tre në Greqi. Gjithsej shtatë. Pas një frakture që e pati goxha të rëndë iu drejtuam një klinike private në Korçë. Aty ishin ortopedë grekë dhe ata na drejtuan për tek doktori që operoi Leon. Mbasi shkuam në Greqi bëmë konsultën me doktorin, duke i bërë çdo analizë, derisa ai vendosi që të marrë përsipër Leon. Aty i bënë edhe 2 ndërhyrje në pjesën lart të kofshës, ku i janë vendosur shtiza, ngaqë Leo në këmbën e djathtë ka pasur më shumë fraktura. I vendosën një vidë, që të mbante shtizën, por kocka e Leos nuk e mbajti dot dhe i doli në sipërfaqe vida me gjithë shtizën. Ai ishte tmerri ynë. U bë përsëri operacion që u rregullua plaga. Që kur është operuar Leo para një viti e deri më sot nuk ka pasur me fraktura në këmbët e tij dhe pjesa poshtme e këmbës ka filluar të shërohet, sepse e ka pasur shumë të dobëta këmbët.

Që Leo të ecë dhe këmbët e tij të kenë shpresë për shërim duhet bërë edhe ndërhyrja përfundimtare, por që ky operacion kushton 40 mijë euro dhe gjendja juaj financiare nuk e përballon dot këtë shifër. Keni kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, konkretisht ministrin, Ilir Beqaj për rastin në fjalë dhe çfarë ju është thënë?

Oh përpjekjet e një nëne janë të shumta. Kam shkuar në Kryeministri, në Parlament, etj. që ta takoja vetë, por asgjë. Kam shkruar letra pafund me shpresën për një përgjigje, por përsëri asgjë. Kam arritur të komunikoj një herë me z. ministër Ilir Beqaj, ku aty më thanë që të dorëzoja dokumentet e Leos e pasi i dorëzova nuk mora kurrë një përgjigje. Ndërsa tani nuk më dalin më fare as faqet e tyre dhe asgjë. Nuk e di pse, por mendja ku nuk të çon.

Domethënë pas komunikimit me z. Beqaj, gjithçka kaloi më pas kaloi në heshtje?

As edhe një përgjigje. Gjithçka kaloi në heshtje.

A  keni një mesazh për z. Beqaj dhe për politikën shqiptare, e cila jo vetëm në parim duhet t’u shërbejë qytetarëve të saj, sidomos në rastet specifike si ky i juaji dhe cili është ky mesazh që doni t’i jepni?

Po, patjeter që kam. Duke mos u përgjigjur për rastin e tim biri, kështu mund të bëjnë edhe për të tjerë raste tragjike. Asnjë ndihmë. Duke nisur me KEMP-in, të cilin Leos ia mohuan, duke më thënë vetë komisioni që “e mëson ti djalin që të mos ecë”, duke më mohuar mua kujdestarinë. Leos i takonte të kalonte në statusin invalid që ditën kur u vendos në allçi, por Leo ka vetëm 3 muaj që e përfitoi këtë status. I lutem z. kryeministër, Edi Rama dhe ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj që të vënë dorën në zemër, jo për mua, por këtë fëmijë, pasi vetëm ai dhe Zoti i dinë dhimbjet që përjeton. Ai ka ngelur 3 herë në sallë dhe jeta e tij është kthyer me elektroshok. Ju lutemi si prindër që t’i japin një dore, pasi një shumë është mbledhur nga qytetarë të thjeshtë, të paktën të na japin një dorë edhe ata.

Rasti i Leos duket se më shumë ka prekur qytetarët e thjeshtë, artistët dhe median, të cilët jo vetëm kanë shpërndarë lajmin, por kanë dhënë edhe kontributin e tyre modest për shërimin e tij. Ka patur ndonjë biznesmen, apo politikan, që është ofruar për t’ju ndihmuar? 

Duke filluar nga artistët, njerëzit e thjeshtë dhe emigrantët i falenderoj shumë për kontributin e tyre dhe që na kanë qëndruar pranë në dhimbjen tonë. Nga shteti dhe nga biznesmenët shqiptarë në rastin e Leos nuk kanë kontribuuar as edhe një qindarkë.

E ta mendosh që 40 mijë euro nuk është ndonjë shumë stratosferike për qeverinë dhe botën e biznesit, keni akoma shpresë se do dalë ndonjë prej tyre që t’ju ndihmojë?

Nuk e di pse, por jam e pa shpresë, pasi rasti i Leos është publikuar në tre media e shumë në rrjetet sociale. Përfundimi? Askush nga politikanët dhe biznesmenët nuk kanë reaguar deri më sot. E ta mendosh që të gjithë kanë fëmijë vetë dhe e dinë shumë mirë çfarë do të thotë dhimbja e një nëne për fëmijën.

Shifra prej 40 mijë eurosh që ju po mblidhni çfarë shpenzimesh mbulon?

Mbulon dy aparaturat që do të vendosen në gjunjët e djalit, konkretisht dy shtiza që do të vendosen në pjesën e poshtme të kofshës; klinikën private, doktorët që do të marrin pjesë në operacion dhe ilaçet që janë shumë të kushtueshme.

Cila është shuma që keni arritur të mblidhni deri tani?

Deri tani Leos i janë mbledhur 17 mijë euro.

Leo është 7 vjeç dhe sëmundja e tij quhet “osteogenesis imperfecta”, anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave. Nga ana psikologjike, si e ka përballuar dhimbjet dhe sëmundjen deri tani?

Që në lindjen e tij Leo ka pasur vetëm thika e allçi. Ai ka luftuar shumë për jetën e tij, duke iu lutur doktorëve që ta shëronin, duke përballuar operacione shumë të vështira, duke iu lutur Zotit që edhe ai të ecte si shokët e tij.

Po në dyert e institucioneve fetare, Kishave, Xhamive, a keni trokitur ndonjëherë?

Po patjetër. Kam shkuar tek xhamia, që ndodhet në qendër, duke shpresuar, meqë ishte edhe Muaji i Shenjtë i Ramazanit, por shumë pak kontribuan. U jemi drejtuar edhe disa qendrave të tjera si, Karitasi, por vetëm më kanë rekomanduar doktorë në Shqipëri. Asnjë vlerë monetare. Duke kontaktuar edhe me Kishat na kanë dhënë një shpresë se mund të bëhet diçka e tani le të shpresojmë që të vënë dorë tek biri im, Leoja.

Si dhe kur nis dita e Leartit Anxhela, cili është 24 orëshi i një fëmije që ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, nuk mund të ecë?

Leo nga dita që ka lindur fle me mua. Ai është një fëmijë shumë i qetë dhe i zgjuar. Në vend që ta mbaj unë me kurajo, me jep ai mua, duke më thënë të mos mërzitem, pasi atë do ta shërojë Zoti. E si mund të jetë e bukur dita e një fëmijë, që thuajse gjithë ditën rri shtrirë?! Ai mundohet që të lozë nga vendi shtrirë. Të gjithë fëmijët dalin, luajnë, vrapojnë, ndërsa im bir rri në shtëpi me mua. Dita e Leos nis shtrirë dhe po shtrirë përfundon me shpresën se edhe ai do të ngrihet në këmbë.

Në bisedat që konsumoni me djalin tuaj, përtej dhimbjes fizike të tij çfarë ju trishton më shumë?

Më trishton ëndrra e Leos. Që nga dita që ka filluar të flasë ka thënë që do të bëhet futbollist si Leo Messi, pasi Leo e di që dhe Messi ka pasur probleme me këmbët dhe Messin ai e ka idhullin e tij. Gjithashtu më trishton edhe fytyra e Leos, që edhe kur ka dhimbje mundohet të mos i shfaqë e më buzëqesh. Një nga dëshirat e Leos është që të shkojë në shkollë e sa herë më thotë, “pse mua nuk më marrin në shkollë, apo ngaqë jam i sëmurë”, më këputet shpirti.

Ëndrrat e Leos, jua bën të zëshme, çfarë ju thotë për dëshirat e veta?

Po. Më thotë që kur të shkojë edhe ai në shkollë do të mësojë që t’i realizojë të gjitha dëshirat e tij, duke mos më munduar më mua dhe disa gjëra ai mundohet t’i bëjë vetë me dëshirën për mos të më lodhur mua. Madje, para disa ditësh i thashë që shumë shpejt do të ikim në Greqi dhe ai më tha që ne nuk kemi gati lekët dhe kjo është dëshira më e madhe për Leon, që t’i mblidhen lekët sa ma shpejt për operacionin.

Thirrja e një nëne për shërimin e të birit, cili është apeli juaj dhe kujt dëshironi t’ia drejtoni?

Në radhë të parë i bëj thirrje shtetit shqiptar të vërë dorën në zemër për Leon, i cili ka 7 vjet që rri në krevat. I bëj thirrje edhe të gjithë biznesmenëve, pasi dhe një shumë sado e vogël ka një rëndësi shumë të madhe për Leon.

SHKARKO APP