AP: Festival me mijëra të pranishëm në Shqipëri, pa maska dhe distancë
“Unum Festival” i organizuar këtë vit në Shëngjin ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas Associated Press, 10 mijë bileta u shitën për festivalin pesë-ditor, të mbajtur nga 3 deri në 7 qershor.
AP duke iu referuar pamjeve në rrjetet sociale, shkruan se të pranishmit nuk kanë respektuar distancën dhe as nuk kanë mbajtur maska.Festivali kishte dy faza: E para në një “varkë me vela” në plazh që ishte kthyer në skenë, dhe e dyta nën disa pisha.
Agjencia transmeton se dashamirët e muzikës nga e gjithë Evropa ishin të pranishëm në festival, i cili u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë, përcjell abcnews.al.
“Këtë vit organizatorët e kishin të vështirë të gjenin muzikantë, për shkak të kufizimeve që zbatohen ende në shumë vende të BE-së. Sidoqoftë, pas përpjekjeve të vazhdueshme ata patën sukses”, shkruan AP, përcjell abcnews.al.
Sipas agjencisë, festivali u bë i mundur falë nivelit të ulët të infeksionit në Shqipëri. Vendi regjistroi vetëm dy raste të reja të koronavirusit të shtunën e kaluar, shtoi Associated Press, ndërsa Ministria e Jashtme ka njoftuar kohët e fundit se nuk ka kufizime për udhëtarët që duan ta vizitojnë vendin.
“Organizatorët pretenduan se të gjithë të pranishmit në festival ishin pa Covid, por nuk ofruan ndonjë provë të këtyre pretendimeve dhe nuk duket se janë kryer teste të virusit, ” thekson AP .