Apeli i Ballës një ditë para protestës: Kush ushtron dhunë ndaj institucioneve do të përballet me ligjin
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla një ditë para protestë së opozitës deklaroi se ata që do të ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve shtetërore do të përballen me ligjin.
“Kush do që do të tentojë të dëmtojë pronën e përbashkët publike, pronën private po ashtu, imazhin e Shqipërisë duhet të ndëshkohet rreptësisht nga ligji. Shqiptarët nuk kanë lidhje me protestën e Lulzimit dhe Monikës. Monika dhe Lulzimi duan të mbivendosin axhendën e tyre personale mbi axhendën evropiane të Shqipërisë. Shqipëria do ti hapë negociatat edhe me gjithë këto përpjekje të dështuara të kësaj opozite të vjetër”, deklaroi Balla.
Në një intervistë për “Tema Tv”, Balla ka folur për mandatet e opozitës, ku theksoi se Partia Socialiste nuk do të pranojë mandatet nga radhët e opozitës.
Sipas Ballës, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, do të ndryshohej vullneti i votuesve dhe kjo, për Ballën është e pakuptimtë.
“Kodi flet vetëm për rastet e shterimit te listës brenda koalicionit, kodi nuk ka parashikuar kur shteron lista ne rastet kur partitë garojnë te vetme. Do te ishte e pakuptimtë qe mandatet e një partie te shkojnë tek një parti tjetër. Nuk ka rëndësi se te kush”, tha ai.
Lidhur me apelin e ndërkombëtarëve për dialog mes mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur situatën politike të krijuar në vend së fundmi, Balla dekalroi se PS është e gatshme të dialogojë me opozitën, por pa cenuar parimet e demokracisë.
“Dialog, kur te duan, si ta duan. Por negociata mbi parimet demokratike nuk ka. Pra negociata që shkelin Kushtetutën, negociata qe shkelin funksionalitetin demokratik te vendit, nuk ka!”, u shpreh Balla.
Kryetari i Grupit Socialist, Balla tha gjithashtu se mazhoranca do të dialogojë me opozitën që ndodhet në parlament për të miratuar reformën zgjedhore.
“Dialogu ne Kuvend do te vijojë për të garantuar një shumice te cilësuar për te miratuar kodin zgjedhor, duke analizuar edhe nevojën që ka ky proces përpara vendimit të rëndësishëm te qershorit”, u shpreh Balla.
KOHA JONË SONDAZH

