Apeli i mjekut Baltoja: Ndihmoni mjekët, mos dilni nga shtëpia! Në Lodi ka shqiptarë të infektuar me COVID 19
Lodi në veri të Italisë ishte vatra e parë u shfaq koronavirusi. Alban Baltoja, mjek në spitalin e Lodit në shërbimin e anestezisë dhe reanimacionit, në një intervistë për emisionin “Arena” në Rtv Ora thotë se mes pacientëve të prekur ka edhe shqiptarë, por jo në gjendje kritike për jetën.
Duke parë kolapsin e krijuar në sistemin shëndetësor në Itali, ai apelon qytetarët shqiptarët të ndihmojnë mjekët duke qëndruar në shtëpi.
Nga ana tjetër edhe bluzave të bardha u kërkon të bëjnë kujdes të shtuar.
“Do të bëj vetëm një apel, që të mbrojnë veten sa më shumë, sepse një mjek apo infermier, që nuk i përdor mirë dispozitat e mbrojtjes individuale mund të sëmuret. Ne kemi 30% të stafit tonë të reanimacionit të sëmurë, në shtëpi, mjafton kjo shifër për të kuptuar sa në krizë mund të shkojë sistemi, mund të rrisim shtretërit pafundësisht, por po nuk pate staf, nuk do të ketë vlerë”.
Më poshtë intervista e plotë
Dritan Hila: Mirëmbrëma doktor! Në cilën zonë të Italisë ndodheni!
Dr. Alban Baltoja: Unë jeton në Lodi, dhe punoj në spitalin e Lodit, në shërbimin e anestezisë dhe reanimacionit.
Dritan Hila: Milano, dhe Lodi vetë, është një ndër vatrat e koronavirusit, apo jo?
Dr. Alban Baltoja: Lodi është vatra e parë e koronavirusit, pastaj u shpërnda në vatrat e tjera.
Dritan Hila: Sa është numri i të infektuarve?
Dr. Alban Baltoja: Aktualisht në spital po trajtohen 150 persona, por në të gjithë provincën janë 4 spitale. Një spital është mbyllur, ndërsa tre spitale janë vetëm për koronavirusin dhe të infektuarit, në të gjithë këto spitale janë diku 200 pacientë.
Dritan Hila: Kanë filluar të paraqiten shqiptarë me shenja të koronavirusit?
Dr. Alban Baltoja: Unë kam informacion direkt, dhe unë them se ka raste të vështira, dhe për fat të keq ka shqiptarë që janë paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore, jo kritike për jetën.
Dritan Hila: Ju po trajtoni këto shqiptarë, cila është mosha e tyre?
Dr. Alban Baltoja: Spitali është në disa nivele, të sëmurët vinë përmes numrit 112 që është sikur 127 në Shqipëri, ata vijnë në urgjencë, bëhet kontrolli dhe shpërndahen nëpër reparte sipas gjendjes klinike në të cilën ndodhen. Ne kemi reparte me ngjyra, ngjyra e verdhë, portokalli, blu dhe e kuqe, në bazë të gjendjes klinike, sa më të rënduar që janë ato shkojnë në zonën blu dhe të kuqe.
Dritan Hila: Bergamo ka shpallur falimentimin, në sensin se nuk ka më shtretër reanimacioni, Lodi si është?
Dr. Alban Baltoja: Bergamo u gjend në të njëjtën pozitë, si u gjendëm ne në Lodi, para 3 javësh. Edhe këtu pati një krizë të shtretërve, “fati” deshi që ne të jemi të parët që u infektuam dhe kishte shtretër nëpër spitale të tjera , dhe arritëm të dërgojmë të sëmurët e tjerë atje. Ne morëm masa, dhe kemi trefushuar shtretërit në terapinë intensive dhe kemi konvertuar komplet spialin, në spital mjekohen vetëm për të sëmurët që preken me koronavirus.
Dritan Hila: Në Lodi kurba e të infektuarve e ka arritur majën e saj, si është gjendja?
Dr. Alban Baltoja: Për këtë ka një grafikë shumë domethënës, ku tregohet se në zonën tonë falë masave që u morën për kufizimin e lëvizjeve, numri i të infektuarve të rinj të prekur nuk ishte më me qindra në ditë por me dhjetëra, dhe është gjithnjë në ulje, po të shikojmë kurbën ajo është horizontale, pra nuk ka rritje të të sëmurëve , ndërsa e njëjta kurbë në Bergamo ku kufizimi i lëvizjeve erdhi 10 ditë më vonë, rritja është eksponenciale.
Dritan Hila: Si i gjykoni masat e marra nga qeveria italiane, ja vlen kjo karantinë, edhe pse në Milano sipas mediave atje 40% e popullsisë përdor metronë akoma?
Dr. Alban Baltoja: Po kjo është e vërtetë, dhe në Milano, gjendja sa vjen e përkeqësohet, edhe po pritet që të përkeqësohet, pikërisht për këtë papërgjegjshmëri të personave. Rasti i ynë, pra rasti i vatrës së parë, ku ka mbi një javë që nuk shënohen më infektime të reja, do të thotë që kufizimi i lëvizjes është kyҫi i suksesit në luftën për koronavirusin, dhe me kufizim e lëvizjes e ka përkufizuar dekreti i qeverisë, unë mbyllem në shtëpi dhe nuk dal, dal vetëm për pazar ose emergjencë.
Dritan Hila: Si i gjykoni masat e qeverisë shqiptare, besoj e keni ndjekur situatën, dhe cilat janë këshillat e tua?
Dr. Alban Baltoja: Masat i kam ndjekur, dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur, dhe nëse duhet të forcohen akoma më shumë, duhet bërë, për mendimin tim kjo gjë është më e drejtë. Ka dy gjëra, në luftën kundër pandemisë, e para është pengimi i shpërndarjes të virusit dhe kjo bëhet duke qëndruar njerëzit në shtëpi, dhe tjera është forcimi i kapaciteteve të strukturave sanitare. Atëherë, në Itali, nëse komponenti i parë nuk do të ndërgjegjësohet, sado të shtojmë kapacitetet sanitare, nuk do të arrijmë që t’i përgjigjemi kërkesës së të sëmurëve, sepse ka gjithmonë shumë të sëmurë, kjo vlen edhe për Shqipërinë, për mendimin tim masat që ka marrë qeveria janë të drejta, madje duhet të jenë edhe më të rrepta sepse kapacitet sanitare të Shqipërisë nuk krahasohen me ato italiane. Ndërsa sa i përket kolegëve atje, kjo situatë po përballet me heroizëm, nga kolegët e mij mjekë, dhe infermierë. Do të bëj vetëm një apel, që të mbrojnë veten sa më shumë, sepse një mjek apo infermier, që nuk i përdor mirë dispozitat e mbrojtjes individuale mund të sëmuret. Ne kemi 30% të stafit tonë të reanimacionit të sëmurë, në shtëpi, mjafton kjo shifër për të kuptuar sa në krizë mund të shkojë sistemi, mund të rrisim shtretërit pafundësisht, por po nuk pate staf, nuk do të ketë vlerë. Po ashtu do ju thosha mjekëve dhe infermierëve, që edhe kur të kthehen në shtëpi të mbajnë gjithmonë mënyrën e sjelljes të kujdesshme, të mbajnë një maskë kirurgjike, të mbajnë distancë me familjarët që mos ta shpërndajnë sëmundjen, ose mos ta marrin, është shumë e rëndësishme kjo.
Dritan Hila: Doktor, unë ju falënderoj për intervistën, dhe ju uroj të gjeni forca!
Dr. Alban Baltoja: Shumë faleminderit, edhe një apel tjetër për qytetarët, u them qytetarëve shqiptarë, na ndihmoni, ndihmoni mjekë që ata tu ndihmojnë juve, mos dilni, rrini në shtëpi!