Apeli la në fuqi dënimin, avokatët e Habilajt: Do e çojmë çështjen në Gjykatë të Lartë
Një ditë më parë, Gjykata e Apelit në Katania la në fuqi vendimin për dënimin e Moisi Habilajt me 15 vjet, 5 muaj e 10 ditë heqje lirie për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria në Siçili.
Avokatët e shqiptarit të akuzuar si drejtues i një rrjeti kriminal që kultivonte kanabis në Vlorë për ta trafikuar më pas në Itali, kishin kërkuar ulje të dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 19 qershor 2019.
Trupa gjykuese në Apel pasi shqyrtoi pretendimet e palëve vendosi të mos ulë asgjë nga dënimi i dhënë ndaj Habilajt me 15 vjet, 5 muaj e 10 ditë heqje lirie.
Ndërkohë sot, avokatët e Moisi Habilaj ka deklaruar eskluzivisht për RTV Ora News se pasi të njihen me motivet e vendimit të Apelit do ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Apelit të Katanias brenda 90 ditëve do të depozitoj motivet e vendimit që dënuan me 15 vite e 5 muaj burg Moisi Habilaj. Pasi të njihen me këto motive do të vendosim nëse cështjen do ta cojnë në Gjykatën e Cessazioni ( E Lartë) . Për momentin Moisi Habilaj vazhdon të qëndroj në arrest shtëpiak në banesën e një familjari të tij në provincën e Katanias për mungesë masë sigurie pasi krimi është kryer shumë kohë më parë“, është shprehur avokatja Maria Caltabiano për gazetaren e RTV Ora Alba Kepi.
Apeli ka dënuar edhe shqiptarët Maridian Sulaj me 8 vjet burg dhe Nezar Seitin me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Ky i fundit u arrestua në Vlorë dhe më pas u ekstradua në Itali pasi akuzohej nga prokuroria si financier i grupit që drejtohej nga Moisi Habilaj, i cili është mbajtur 954 ditë në burg dhe në maj 2020 u la në arrest shtëpie.
Mediat italiane citojnë edhe skandalin politik që shkaktoi arrestimi i Habilajt dhe grupit të tij në Itali duke cituar përgjime nga dosja.
Në këto biseda, sipas hetuesve italianë, rezultonte se Moisi Habilaj favorizohej nga policë të korruptuar që nuk preknin parcelat e tij me drogë në Vlorë ndërkohë që lëndën narkotike arrinte ta transportonte në zona të ndryshme të Italisë duke bashkëvepruar me klane kriminale e mafioze lokale.
Mediat citojnë edhe pretendimet e Habilajt për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm në Shqipëri Saimir Tahiri për të cilin prokuroria e Catanias vendosi mbylljen e dosjes pas disa muajsh hetime.
KOHA JONË SONDAZH

