Apeli lë në burg drejtuesit e “Bankers Petroleum”, hetimet zbulojnë skemë mashtrimi dhjetra milionëshe

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-drejtorin e kompanisë “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, si dhe për drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao. Seanca u zhvillua këtë të martë, ku ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i ambasadës kineze në Tiranë.

Të dy të arrestuarit kishin kundërshtuar masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Fierit, por Apeli rrëzoi ankimimet dhe mbështeti qëndrimin e Prokurorisë, duke i lënë në burg. Megjithatë, për disa nga zyrtarët e tjerë të hetuar, masat u zbutën pjesërisht.

Nga pesë të dyshuar që ndodheshin në “arrest shtëpie”, njëri prej tyre përfitoi ndryshim të masës në “detyrim paraqitjeje”, për arsye familjare, pasi është prind i një fëmije të mitur. Ndërkohë, për tre persona të tjerë u hoq ndalimi për të dalë jashtë shtetit, duke u lënë vetëm detyrimi për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në total, dhjetë persona – zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë – janë nën hetim për një skemë të dyshuar mashtrimi që, sipas Prokurorisë, ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit shqiptar. Ata dyshohet se kanë shmangur detyrimet tatimore në vlera që arrijnë miliona euro, duke përdorur skema të sofistikuara dhe mekanizma për pastrim parash.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ata akuzohen për veprat penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Prokuroria njofton se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet zgjerimi i tyre ndaj institucioneve të tjera të përfshira.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?