Apeli për Krimet e Rënda kthen dosjen e Dritan Dajtit: U gjetën shkelje proceduriale

Vendimi u mor nga një kolegj penal me kryesuese, Saida Dollanin dhe anëtarë, Dhimitër Larën, Sokol Binajn, Nure Dreni dhe Sokol Ngresi, ky i fundit i deleguar nga Këshilli i Lartë i Dtejtësisë, pr mungesë gjykatësish.

Sipas verdiktit të Apelit për Krime të Rënda, gjatë shqyrtimit të dosjes penale në Shkallë të Parë, janë konstatuar shkelje të rënda të procedurës, ndaj në këto kushte, çështja është kthyer sërish për tu gjykuar nga e para, por me një tjetër pesëshe gjykatësish.

I pandehuri Dritan Dajti iu drejtua Apelit brenda afateve ligjore, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila në korrik 2014 dha për të vendimin me burgim të përjetshëm. Në ankimin e tij në Apel, Dajti kërkonte prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe deklarimin e tij të pafajshëm.

Në vendimin e datës 23 korrik të këtij viti Dajti u shpall fajtor për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”, ndaj 4 punonjësve të policsë Fatos XHani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Punonjësit e Policisë u vranë gjatë operacionit policor të kryer për prangosjen e Dajtit. Ai u fajësua edhe për “vrasjen me dashje” mbetur në tentativë, ndaj F. Shamkut, si dhe për akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “falsifikimin e dokumenteve”, “falsifikim të vulave, stampave e formularëve”, si dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Procesi ndaj Dajtit në shkallë të parë, zgjati me shumë se katër vite dhe u shndërrua në një nga proceset gangrenë, pasi për një kohë të gjatë u fut në ngërc. Rikthimi sërish në këtë gjykatë, me shumë gjasë mund të bëjë të ripërsëritet e njëjta situatë, nëse Dajtit nuk do ti pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar.

BW

SHKARKO APP