Aplikacioni ”Aktivisti” i PS, reagon PD: Nga Ina Rama tek Alfred Balla, pjesë e tij prokurorë dhe gjyqtarë
Zëdhënësja e PD-së së Berishës, Floriana Garo tha se pjesë e listës së personave që kanë shkarkuar aplikacionin ”Aktivisti” të PS-së janë edhe emra të njohur që nga ish-kryeprokurorja Ina Rama deri tek Alfred Balla, anëtar i KLP-së. Ajo tha se në këtë rast opozita nuk ka kujt t’i drejtohet për hetim për shkak se vetë prokurorët dhe gjyqtarët janë pjesë e këtij aplikacioni.
“Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund.
Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra here: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë. Një vend të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë si aktivistë partiakë është një republikë bananesh.
Kujt t’i bësh thirrje në këtë rast? Tradita e ka që t’i drejtohesh drejtësisë që të hapë një hetim. Por jemi në rastin kur problemi është me prokurorët dhe gjyqtarët. Janë ata që kanë shkelur ligjin dhe kodet etike duke e bërë veten subjekt të mundshëm të drejtësisë. Kush i heton ata që duhet të hetojnë”,-tha Garo.