Arben Imami ose “nendetësja 105” mposht Edi Ramën dhe dërmon ministren Kodheli

Denoncimi i ish -ministrit të mbrojtjes, Arben Imami, ishte çështja e parë e çuar në prokurori nga qeveria Rama për ish -zyrtarët e lartë të kabinetit Berisha. Me shumë bujë ajo u lajmërua dhjetorin e vitit 2013, pak muaj pas ardhjes së PS në pushtet, nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila tha se abuzimi me reklamat ishte i madh dhe se dosja ishte hartuar nga një grup ekspertësh. Kryeministri Rama kërkoi menjëherë ndëshkimin e Imamit. Prokuroria e mbylli çështjen disa muaj më vonë, duke mos gjetur shkelje. Por Ministria e Mbrojtjes e ankimoi vendimin dhe ndodhej në gjyq me prokurorinë prej nëntorit të vitit të shkuar. BIRN ka mësuar se tashmë Ministria është tërhequr nga ankimimi.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është tërhequr pa zhurmë nga beteja ligjore 1-vjeçare me paraardhësin e saj demokrat, Arben Imami, duke mbyllur përfundimisht dosjen e abuzimeve të pretenduara me reklamat shtetërore. Por ministrja e Mbrojtjes nuk mund të ikë me “bishtin ndër shalë” pa dhënë llogari se përse u tërhoq? Ose nëse nuk ka asnjë shkelje nga ish-ministrit Imami atëhere pse bën gjithë atë zhurmë? Pse e mbarsen opinionin publik me sulme se “Imami ka vjedhur e ka bërë namin!”, apo ishte lojë politike? Nëse është lojë politike atëhere minimalisht ministrja e mbrojtjes duhet të jap dorëheqjen. E para se ka shfrytëzuar postin duke sulmuar politikisht, përderisa është tërhequr edhe me shkrim këto ditë. E dyta ka mashtruar për ti bërë qejfin kryeministrit Rama ose është përdorur nga Edi Rama. E treta nëse  është tërhequr por qëndron padia e saj, atëhere cili është pazari në këtë rast? Kush ka ndërhyrë që ka paqtuar palët ? Është tërhequr “Zheleznovi Rama” apo “nëndetsja 105” e Imamit doli me e fortë , tamam si në filmin e dikurshëm “Ballë për Ballë”? Dhe mos harroni se ishte Arben Imami në rolin e tij tek nendetsja 105 që fiton. A thua fitoi edhe sot përballë mazhorancës apo dikush tjetër ka ndërhyrë për tu mbyllur akuzat? Nëse ka janë marrë “vesh”, pse janë tallur me mediat,me opioninin publik , me drejtësinë?

Ministria e Mbrojtjes ndodhej në gjyq me Prokurorinë e Tiranës prej 19 nëntorit 2014, pas vendimit të kësaj të fundit për të pushuar kallëzimin penal kundër Imamit. Por konflikti mes dy institucioneve ka marrë një kthesë të papritur, kur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Arian Kraja ka dorëzuar në gjykatë një shkresë zyrtare me tërheqjen nga ankimi.

Një zyrtar i Prokurorisë i tha BIRN-it se tërheqja nga ankimi i Ministrisë së Mbrojtjes do të zyrtarizohet javën e ardhshme, në seancën e paracaktuar nga gjyqtarja Migena Laska. Megjithatë, kjo seancë konsiderohet formale nga Prokuroria, sa kohë që Ministria e Mbrojtjes ka rënë dakord ta mbyllë procesin në gjykatë, ku kërkonte nga organi i akuzës rihapjen e hetimeve kundër Imamit.

Ministria e Mbrojtjes, e kontaktuar nga BIRN preferoi të mos komentonte arsyet që e shtynë drejt tërheqjen nga çështja “Imami”.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u padit në Prokurorinë e Përgjithshme nga Kodheli më 9 dhjetor 2013, ndërsa kjo çështje shkaktoi një stuhi debatesh në skenën politike shqiptare. Në kallëzimin penal, Ministria e Mbrojtjes e akuzonte ish-ministrin dhe 4 vartës të tij për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas kallëzimit të Ministrisë, Imami dhe 4 vartësit e tij kishin shkelur ligjin e prokurimeve publike në tenderimin e 3 spoteve publicitare dhe 3 dokumentarëve të trasmetuar në media para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Audituesit e caktuar nga Kodheli kishin llogaritur një dëm prej 1.2 milionë eurosh gjatë këtyre procedurave.

Ditën që akuzonte paraardhësin e saj, Ministrja Kodheli e cilësoi kallëzimin një padi të mirëargumentuar dhe i kërkoi Prokurorisë që të hetonte “abuzimet e mëdha me paratë publike”. Ish-ministri Imami i cilësoi akuzat një “flluskë” politike dhe hakmarrje të kryeministrit Rama.

Prokuroria e Përgjithshme ia kaloi çështjen për verifikim Task-Forcës dhe pas disa muajsh vendosi të mos nisë çështje penale për mungesë provash. Vendimi u bë shkak për takime të shpeshta dhe replika në distancë mes Kodhelit dhe kryeprokurorit Llalla.

Arben Imami ishte i pari ministër i qeverisë “Berisha” që u kallëzua nga qeveria e majtë, pas akuzave për korrupsion që ndërtuan fushatën elektorale të 2013-s prej nga Edi Rama doli fitues.

 Por ndonëse u bë zhurmë e madhe mediatike dhe në parlament në fillim të mandatit të kësaj mazhorance se gjoja Edi Rama e Mimi Kodheli kishin kapur një “peshk të madh” me tendera të mëdhënjë, tashmë po tërhiqen si “ të dhjerë”. Por edhe tërheqja pa zhurmë ka një zhurmë tjetër: Pse u tërhoqën? Ose nëse  janë bindur se kanë gabuar duhet ti kërkojnë falje publike Arben Imamit. Dhe t’a thonë mu në sallën e Parlamentit. Është më mirë dhe me sinqertë kërkimi i ndjesës hapur se sa skutave duke gjetur “marrëveshje” që “unë po tërhiqem por ti mos bëj zhurmë”. Nëse këtë e ka pranuar Arben Imami atëhere edhe për atë nuk largohet fitues si ushtari i ”nendetseses 105”, por si një njeri që don qetësinë e tij pasi ka bërë epokën e tij të dikurshme.

Nuk është e drejtë kjo mbyllje, pa fjalë e pa ndjesë publike. Pas kësaj aksionet e qeverisë pësojnë një rënie drastike, pasi askush nuk beson më. Do kapin “peshq të vegjël” apo “cironka” sa për të kruajtur dhembët drejtësia e kaq do të mbetet zhurma e madhe e ardhjes së Edi Ramës në pushtet.

 Arben Imami gjithsesi fitoi dhe qenka “marinar”i zoti !

 

SHKARKO APP