Arben Vata: Njeriu-bombë kërcënon Berishën
(Botuar me 20 Prill 1996 në KOHA JONE)
Nga Arben Vata-
Aventurieri i çmendur bën që kreu italian i shtetit të largohet fshehtas nga dera e pasme e Presidencës.
Tiranë – Ka dashur të takojë Berishën, t’i kërkojë 20 milionë lekë, sepse përndryshe do të hidhte granatën e tij mbi selinë e Presidencës, ku ato momente po bëheshin gati për të dalë nga një takim zyrtar kreu i Shtetit Shqiptar dhe ai Italian, por ka rënë preh e një ndërhyrje të shkëlqyer të forcave të policisë, të cilat në 70 minuta kanë bërë të përfundojë gjithçka. Me tmerr dhe frikë kanë përjetuar atë tension nervshkatërrues, qindra punonjës të forcave të rendit, të cilët kanë mbërritur menjëherë para Presidencës, për të ndaluar dëshirën çmendurore të Ilir Buzës, 32-vjeçar nga Mazha e Fushë-Krujës, për t’u takuar me çdo kusht me kreun e shtetit. Ka qenë ora 13.45 e ditës së djeshme, kur Buza është shfaqur në atë pjesë të bulevardit që ndan Pallatin e Kongreseve nga godina e Presidencës. Ai ka kërkuar mes klithmash një takim të menjëhershëm, ndërkohë që në duar mbante një bombë me siguresën të hequr dhe të gatshme për të shpërthyer në çdo moment. Përpara ushtarëve të Gardës, terroristi – i cili sipas zyrtarëve është vetëm një i çmendur ka shpënë gishtin tregues në unazën e shkrepjes së bombës duke i kërcënuar ata. Ndërkaq, të tronditur nga skena e papritur ushtarët kanë lajmëruar shefat e shërbimit dhe brenda 3 minutash në vendngjarje kanë ardhur ministri e zv/ministri i Brendshëm, shefi i SHIK-ut, qindra punonjës të rendit e të forcave të ndërhyrjes së shpejtë si dhe mijëra kureshtarë. “Dua t’ju takoj ju patjetër, ose përndryshe do të hidhen në erë të gjithë njerëzit që janë rreth e rrotull” ka bërtitur vazhdimisht Buza në një telefon të vendosur në murin e Pallatit të Kongreseve, duke kujtuar se në ato momente ka qenë lidhur direkt me Berishën. Zv/Ministri i Brendshëm Shehu ka konfirmuar se njeriu me bombë nuk është lidhur asnjëherë me Presidentin i cili ka lënë zyrën e tij në orën 14.10 ndërkohë Buza gjendej ende në trotuarin përballë Presidencës. Pasi ka para Berishën të largohet, tensioni i terroristit ka arritur kulmin. Në këtë çast ai ka zhveshur xhaketën prej xhinsi dhe me bombën në dorë i është afruar shumë bulevardit. “Vetëm Berisha mund të më japë një kredi 20 mijë dollarëshe për investime” i ka thënë shpesh terroristi komandantit të sigurimit të Gardës, Zyhdi Dajti, si dhe drejtorit të policisë së rendit Arben Prrenjasi, të cilët kanë qenë të kërcënuarit e drejtpërdrejtë të Buzës. “Kërkonte vazhdimisht 20 mijë dollarë dhe thoshte se kishte disa mendime të tija mbi politikën”, tregon Dajti, i cili për t’ia humbur vëmendjen të riut të xhindosur i ka zgjatur pa sukses paketën e cigareve. Forcat e policisë kanë shtënë dy herë në ajër, kanë parakaluar para kërcënuesit tre snajper (të tillë ishin ngjitur edhe në pikat që dominonin sheshin para Presidencës) dhe dhjetëra sampistë me antiplumb, por terroristi nuk është frikësuar. Nuk dihet se sa do të kishte vazhduar dhe ç’pasoja do të kishte patur loja e marrë e Buzës me forcat e policisë, nëse atij nuk do t’i tërhiqte vëmendjen nga mbrapa një trokitje xhami. Në kohën kur njeriu me bombë po fliste me telefonin e shërbimit që gjendej në murin e pallatit të Kongreseve, një goditje me një send të fortë në xhamat e pallatit i ka tërhequr vëmendjen. Ky ka qenë çasti që ai është mashtruar dhe komandanti i Repartit 88, Vasillaq Soto, pa marrë parasysh se po shkonte drejt vdekjes, i ka bllokuar Buzës dorën vdekjeprurëse. Pastaj mbi trupin e tij janë vërsulur dhjetëra policë derisa ai është shoqëruar për në polici. Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet zyrtare deklaruan se kishin të bënin me një të çmendur, mohuan çdo lidhje të mundshme me vizitën e Skalfaros, për t’i lënë vendin një thashethemnaje dhe hipotezash pa fund që ishin shpërndarë me një shpejtësi të habitshme nëpër rrugët dhe kafenetë e Tiranës. E ndërkohë kur gjithçka kishte mbaruar, kur 32-vjeçari Ilir Buza ishte tashmë nën pranga në Rajonin e Policisë, heroi i vërtetë i kësaj ngjarje, komandanti i Repartit 88, Vasillaq Soto, ishte zhdukur, për të hedhur në ujërat e Liqenit Artificial granatën e tmerrit.
Arben Vata