Ardi Veliu: Na besoni që të krijojmë një ambient të sigurt
Në Berat, u mbajt Forumi i katërt Qytetar për Sigurinë Publike, me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, Kryebashkiakut të Beratit, Drejtorëve të shkollave të qarkut, grupeve e interesit dhe shoqërisë civile.
Në këtë forum, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen aktive të tyre duke mirëpritur sugjerimet, si dhe u është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga qytetarët.
Në fund të takimit Drejtori i Përgjithshëm ka akorduar 2 Certifikata karriere për dy ish-punonjës policie tashmë në pension.
Fjala e Ardi Veliut
Të nderuar qytetarë të Beratit
Ndjehem i privilegjuar që jam në këtë takim në qytetin e Beratit, për faktin se një pjesë e mirë pavarësisht se është pjesë e shkurtër e karrierës time policore, e kam kaluar dhe këtu në qytetin e Beratit dhe shikoj edhe fytyra me të cilët unë kam bashkëpunuar gjatë kohës që kam qenë me detyrë, në këtë qytet dhe kjo ma bën më të lehtë pjesën e komunikimit me ju.
Bashkë më kolegët e tjerë kemi diskutuar dhe në takimet e tjera, ne e kemi theksuar që profesioni i policit ose ajo çfarë kërkojmë ne nga punonjësit e Policisë është që punësimin në Polici ta konsiderojnë një sakrificë, ta konsiderojnë jo privilegj, por përkushtim për të realizuar objektivin që kemi në sigurimin e rendit dhe qetësisë.
Në lidhje me pyetjet të cilat u drejtuan në adresë të Policisë së Shtetit unë dua ti përmend ose ti prek me atë çfarë ne duhet të plotësojmë dhe si duhet ta bëjmë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm që Policia e Shtetit aktualisht nuk është Policia më e mirë në botë, ose Policia që çdo qytetar të jetë i kënaqur në perceptimin e asaj që pret nga Policia.
Ne e dimë që kemi defekte, e dimë që kemi të meta dhe qëllimi për të cilën ne po realizojmë këtë takim është që të evidentojmë këto të meta, me qëllim që Policinë ta sjellim në atë nivel që çdokush nga ne të jetë krenar për Policinë që ka.
Për faktin sepse ne marim informacione ndjekim punën nga ana e linjës ose e fushës policore, por jo në çdo rast ne marrim të vërtetën ashtu siç po na jepet me pyetjet dhe diskutimet tuaja.
Konkretisht përsa i përket qarkullimit rrugor, jo se dua të shfajësoj punën e Policisë Rrugore, absolutisht që shërbimi i Policisë Rrugore ka probleme, ne me riformatimin e ri që po i bëjmë strukturës së Policisë Rrugore, po eorganizojmë në nivel qarku për t’i dhënë më fleksibilitet shërbimit të Policisë Rrugore dhe duke i larguar nga rruga, pra për të mos bezdisur qytetarët vend e pa vend, për të mos patur prezenca të Policisë Rrugore çdo një kilometër apo dy kilometër por shërbimi i Policisë Rrugore të jetë në ato momente ku qytetari ka nevojë dhe për të rritur sigurinë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet.
Në lidhje me pyetjen që bëri z.Cela në lidhje me mënyrën apo pasivitetin e Policisë Rrugore në qytetin e Beratit, pavarësisht ndaj asaj çfarë unë përmenda duke përfituar dhe nga prezenca e Kryetarit të Bashkisë këtu duhet të dimë të gjithë që enti pronar i rrugës në qytet është Bashkia e qytetit.
Këtu nuk dua të fajësoj Bashkinë por duhet që të marrim përgjegjësitë dhe të ndajmë përgjegjësitë. Policia ose fusha ku një punonjës i Policisë Rrugore merr autoritet për të vepruar ose për të zbatuar dispozitat në Kodin Rrugor është momenti kur kjo pjesë e rrugës është e kompletuar me sinjalistikë rrugore.
Atëherë lind e drejta që ky punonjës Policie të ushtrojë atributin, kompetencën e tij për të vendosur masën administrative për atë përdorues rruge i cili nuk i respekton këto dispozita të Kodit Rrugor.
Kështu që duke përfituar dhe nga prezenca e Kryetarit të Bashkisë këtu, në momentin që do përfundojë sistemimi i rrugëve me një sens apo kompletimi me sinjalistikë rrugore apo vendosja e semaforëve, patjetër që dhe detyrimi i Policisë së Shtetit me prezencën e qarkullimit rrugor do të jetë më i madh për të respektuar këto dispozita.
Por njëkohësisht nuk duhet të lëmë pas dore edhe pjesën e përdoruesve të rrugës, në rastin konkret dhe këmbësorët për të qenë dhe ata përgjegjës për të respektuar këto sinjalistika apo tabela për faktin se tabelat janë të detyrueshme jo vetëm për drejtuesin e automjetit si përdorues rruge, por edhe për një qytetar të thjeshtë i cili duhet të respektojë vizat e bardha, duhet të respektojë vendet ku lejohet kalimi, duhet të respektojë semaforin që të gjithë të bëhemi kontribues për rritjen e sigurisë rrugore dhe për disiplinim e saj.
Ashtu si Policia Rrugore duhet të jetë më korrekte në lidhje me ndëshkimin e përdoruesve të rrugës të cilët nuk respektojnë këto rregulla.
Përsa i përket pyetjes që bëri Drejtori i Shkollës “Babë Dudë Karbunara” në lidhje me implementimin e projektit të oficerëve të sigurisë.
Aktualisht ne Tiranë ne jemi duke e implementuar, nga Akademia e Sigurisë është përgatitur një kurrikul në lidhje me detyrimet që kanë oficerët e sigurisë nëpër shkolla, por pavarësisht se ne jemi duke e implementuar në Tiranë me 15 punonjës Policie të cilët vijnë nga radhët e Policisë ne përsëri nuk jemi dakort që oficeri i sigurisë të jetë punonjës Policie.
Ne duam që të ndërtojmë një oficer që të jetë punonjës, qoftë një psikolog, qoftë një jurist qoftë një trup pedagogjik i kësaj shkolle, i cili të marrë njohuritë e nevojshme përsa i përket mirëfunksionimit të Policisë së Shtetit dhe të jetë si një urë komunikimi ndërmjet trupës pedagogjike, komunitetit të nxënësve, komunitetit të prindërve të rrisë bashkëpunimin dhe të forcojë prezencën e sigurisë apo të rritim sigurinë në shkolla.
Të mos fokusohemi thjesht tek një punonjës policie i cili duhet të jetë me uniformë pa tjetër. Duhet të mësohemi të kontribuojmë të gjithë për sigurinë sepse në fund të fundit jemi të gjithë përgjegjës për sigurinë.
Çdo punonjës policie pavarësisht së është veshur me uniformë, është një pjesëtar i komunitetit tuaj, është pjesëtar i një lagjeje të caktuar, edhe ai punonjës policie ka fëmijën e tij apo të afërmin e tij në atë shkollë dhe përgjegjësinë për rritjen e sigurisë në shkolla duhet ta forcojmë dhe të kontribuojmë të gjithë si komunitet, jo vetëm Policia e Shtetit, sepse nëse do mendojmë që në çdo shkollë, në çdo rrugë, në çdo pallat do të kemi një punonjës policie, atëherë ku është kontributi i komunitetit? Ku është prezenca apo ajo çfarë duhet të japë pjesa tjetër e komunitetit në lidhje me forcimin dhe bashkëpunimin në drejtim të rritjes së sigurisë?
Në lidhje me pyetjen që bëri një qytetar, “A do të zhduket kanabisi”?
Unë me kënaqësi dua të shpreh para komunitetit të Beratit se numri i rrënjëve të bimëve të Kanabisit, evidentuar gjatë vitit 2017 qenë viti më i ulët. Përsa i përket evidentimit të bimëve narkotike në 25 vitet e fundit ka qenë në nivelet më të ulëta historike.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e ka filluar këtë aksion duke mos pritur as muajin Mars as muajin Prill e me rradhë kur fillon e ngrohet koha, por e kemi filluar në muajin Janar jo vetëm duke përgatitur bazën ligjore dhe ndarjen e grupeve të monitorimit, për të monitoruar punën e Policisë së Shtetit dhe për të parandaluar këtë fenomen, por duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme në zonat e riskut, në të gjitha vendet në të cilat ka patur prezencë të kultivimit në vite, njëkohësisht duke bërë edhe monitorimin ajror me partnerët italianë.
Referuar ndoshta viteve të shkuara kur në qytetin e Beratit apo në qytetet e tjera të cilat janë pjesë të Qarkut të Beratit ka patur prezencë të kultivimit të hashashit, unë do t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që janë këtu, por edhe atyre të cilët na ndjekin, në rast se do të konstatojnë fenomene të këtij aktiviteti, në numrat e telefonit 129, 112, por edhe në numrat tanë të mos rreshtin duke na informuar, për ta bërë prezent këtë konstatim apo këtë shqetësim që sëbashku jo vetëm policia, por edhe ju të kontribuoni që këtë fenomen ta largojmë përfundimisht nga Shqipëria duke e hequr njëkohësisht edhe Shqipërinë si vend kultivues i kanabisit.
Kështu që edhe një herë unë jam i gatshëm që në çdo moment, jo vetëm unë, por edhe Drejtori Vendor i Policisë, apo dhe gjithë stafi tjetër, të marrë përgjegjësitë për të luftuar këtë fenomen, por do të kërkonim edhe bashkëpunimin tuaj, sepse edhe në strukturat tona policore ndoshta mund të ketë elementë apo individë, të cilët mund të shpërdorojnë të qënit punonjës policie, pra besimin që i është dhënë qoftë nga ne por qoftë edhe nga juve si qytetarë, kështu që duke luftuar paralelisht, jam i sigurt dhe ngelem besimplotë që ky fenomen do të largohet një herë e mirë.
Përsa i përket kritikës që bëri komunitetit fetar në lidhje me bashkëpunimin apo çfarë të mira ka sjellë ky bashkëpunim dhe njëkohësisht moszbulueshmërisë së vjedhjes së veprave të kultit.
Nuk kemi pse ta fshehim, unë e thashë edhe më parë, këto janë difekte që na bëjnë mirë, sepse mësojmë të vërtetën dhe njëkohësisht na obligojnë për të marrë masa që këtë situatë të krijuar ta analizojmë, të shikojmë edhe një herë në detaje provat dhe ato çfarë është grumbulluar në studimin dhe hetimin e këtyre fenomeneve, dhe të marrim masa për të bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e këtyre ngjarjeve.
Kam kënaqësinë që sot t’i jap Certifikatën e Karrierës z. Hiqmet Muça, “Për merita të veçanta për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Hiqmet Muça:
Të gjithëve ju uroj shëndet, lumturi dhe gëzim. Policia ma merr mendja do të jetë në krye të detyrës. Do të ndyshojë njëqind përqind. Ju uroj të gjithëve shëndet.
Veliu:
Z. Novruz Mullai i jepet Certifikata e Karrierës “Për merita të veçanta për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Novruz Mullai:
Me gjithë zemër ju uroj të gjithë shokëve të policisë dhe gjithë qytetarëve të Beratit, një rend më të sigurt, më të besueshëm, për të gjithë neve. Ju uroj suksese të gjithëve.
KOHA JONË SONDAZH

