Ardian Klosi: “L’America” nga Gianni Amelio, një film i fortë

(Botuar me  2 Prill 1995 në KOHA JONE)
Nga Ardian Klosi-

Amelio na ka dhënë një Shqipëri të amplikuar, një Shqipëri kafkaeske, që të ngjitet pas trupit, të lag deri në palcë, të merr frymën, por me thellësinë e syve të zinj dhe të melodive të rënda të thërret prapë në vete, si diçka e rëndë, tepër e rëndë dhe e rëndësishme, që nuk do ta gjesh kurrë më tjetërkund, sado ta kërkosh.
Po të na pyesni tani, ose edhe pas 10 vjetësh, se ç’kemi bërë si krijues shqiptarë për të fiksuar ngjarjet e viteve 91, do të mblidhnim supet. Me ngjarjet e 90-91 merren hëpërhë vetëm politikanët për të nxjerrë në pah meritat e tyre të ndryshme. Kurse krijuesit, të paktën nga 99 për qind syresh, sot e gjithë ditën janë të angazhuar me zbërthime e analiza për diktaturën e vjetër. Si gjithmonë, me vonesë. Ngjarjet dhe personalitetet më tronditëse në historinë shqiptare janë trajtuar si rregull nga artistët shqiptarë të paktën në rreth 50 vjet më pas. Shembulli më i mirë në këtë pikëpamje mbetet Barleti, i cili rrethimin e Shkodrës na e dha vetëm në 20 vjet dhe jetën e veprat e Skënderbeut vetëm me 30 vjet vonesë. Ndërsa z. Godo bie fjala, Ali Pashait ju kthye mbas 150 vjetësh pas vdekjes së heroit ( ndërkohë që Pukvili ose Manzurit nuk ju deshën as 10 vjet), biografitë për Rilindasit u shkruan në krye të një shekulli, Ahmet Zogu ende s’ka një histori sado të shkurtër, E. Hoxhës dhe idesë së tij as që guxon t’i afrohej njeri (po të përjashtojmë “Dimrin e Madh” dhe “Kasollen e Galigatit”), pa le t’i nxjerrin një monografi. Shembujt janë të shumtë dhe ata tregojnë se krijuesit shqiptarë maten bukur gjatë para se ta fillojnë punën. Mirëpo ç’ndodh? Ndërkaq vijnë të huaj, që papritur shumë na vënë pasqyra para hundës dhe i hyjnë punës vetë. Shumë herë ka ndodhur dhe gjithmonë përsëritet po kjo situatë në trojet tona, për faktin e thjeshtë se stofi i temave shqiptare është nga stofrat më dramatikë ose tragjikë të botës. Kështu erdhi para një dy vjetësh, si pa u vënë re, edhe regjisori Gianni Amelio në Shqipëri. Sot filmi i tij për Shqipërinë “L ‘America”po shfaqet në shumicën e qyteteve të Evropës, trondit sytë e zemrat e njerëzve, është materiali më i rëndësishëm artistik për vendin tonë, edhe më i rëndësishëm se gjithë veprat tona të mbledhura së bashku, të përkthyera e të papërkthyera. Si u prit në vetë Shqipëri filmi “L’ America”? Me sa di nuk është pritur fare, ose është pritur me këmbët e para. Qeveria dhe Ministria natyrisht nuk kanë paguar për ta sjellë filmin në vend, madje ka shumë të ngjarë ta kenë refuzuar ofertën për një kopje falas për publikun shqiptar. Jo vetëm që filmi nuk shfaqet, por janë ngritur apostujt e kombit për ta mallkuar dhe zhbërë në mungesë ( O Zot, sa pak origjinal, sa përsëritës në këtë metodë!). Filmi qenka nxirje e realitetit dhe denigrim i njeriut shqiptar. I mbingarkuar kësisoj negativisht, shkova të shoh premierën gjermane të filmit “L’America”. Isha përgatitur, si të thuash, të përjetojë poshtërimin e homos Albanicus. Mu desh ta harroja shpejt këtë pikënisje, sepse filmi po më fuste në rrugë të tjera. Pa vështirësi po shikoja se sa lehtë mund të mbruhet lënda bruto nga dora e një artisti për t’u bërë vepër e madhe. Dhe çfarë lënde e njohur dhe e afërt si rrobat që veshim, si rrugët dhe gurët e Shqipërisë. Vetëm se përmes asaj thjerrëzës së vogël, përmes atij filtri të hollë që quhet tëhuajtje e që ne kurrë nuk dimë ta zotërojmë. S’bëhemi dot kurrë mjeshtër të saj, pikërisht sepse na mungon distanca e nevojshme nga vetja, ato 60 miljet e Otrantos që do të na jepnin Shqipërinë si një befasim dhe çekiç të rëndë në kokë. Subjekt fare i thjeshtë: një jointventure italiane që del fiasko, një italian kokoroç që bie në dhëmbët e pamëshirshëm të realitetit shqiptar aq sa dalëngadalë shqiptarizohet edhe vetë, por jo në atë kuptimin që duan t’i japin apostujt xhelozë të shpiptarizmës, domethënë shqiptarizim si inferno, porse shqiptarizim si katarsis, shqiptarizim si pastrim shpirtëror! Një italian që vjen në Shqipëri me ëndrrën banale për të vënë ca para, që dështon, që kalon nëpër rrathët e ferrit (të cilin e njohim aq mirë), e pastaj, kur ka rënë në fund fare dhe duket se gjithçka ka mbaruar, njeh shpresën, ashtu si mijërat e shqiptarëve që zhgërryhen, ngjeshën e përleshen bashkë me të, derisa arrijnë anijet. Një i huaj që vjen në Shqipëri me ngopjen e mërzinë e zakonshme dhe takon këtu shpresën. Në fund i drejtohen të gjithë bashkë bregut italian ose Amerikës, tamam si në tregimin e Kutelit “Vendosa të shkoj në Amerikë”. “Ne jemi të gjithë shqiptarë” shkruan regjisori Amelio në “Suddeutsche Zeitung” dy ditë pas premierës. Tek këta njerëz që me naivitetin e tyre shpesh të duken si fëmijë, autori ritakoi ëndrrat e parealizuara të fëmijërisë për Amerikën. Ku paska qenë denigrimi dhe nxirja e njeriut shqiptar? – pyeta veten sërish. Që nga fillimi e deri në fund – me përjashtim pikërisht të fundit – filmin e përshkon një violencë e papërmbajtur, një shpërthim i egër energjish që ka po një vulë, qoftë në Portin e Durrësit, qoftë te fëmijët që lypin para hotel “Tirana”ose te fëmijët që duan të mbysin me tym një plak të lajthitur në bunker, qoftë në përleshje me policinë, qoftë në vërsuljet mbi sponte kamionësh… kudo, kudo. Kjo është mjeshtëria kryesore e kineastit: riprodhimi në ekran i vitit 1991, vit kur ju hoq tapa pusit kutërbues të shoqërisë shqiptare. Është një shpërthim e një egërsi që për 5 sekonda mund ta kthejë një xhip luksi japonez në karakatinë, siç kthejnë fajkonjtë bagëtinë e ngordhur në një dorë kocka. Eksodet e 90-91 kanë qenë me të vërtetë valvola shpërthimi, të cilat Shqipëria i kish të domosdoshme, në mos po do të kishin ndodhur shpërthime të brendshme edhe më të tmerrshme. Kjo është historia jonë e vërtetë e viteve të fundit dhe jo historia sipas politikës ose romantizmit shqiptar. Historia e “revolucionit”tonë politik është tepër e rëndomtë dhe e mërzitshme, kurse ajo që ndodhte nën të ishte vërshimi dhe përmbytja e mirëfilltë. Terapishoku, Qeveria e Stabilitetit, buzëqeshjet katrore të Berishës prapa kurrizit të Bejkerit ose Rajersonit ishin pak a shumë si kartona të animuar, ndërsa jeta e vërteta qe kapërcimi i kangjellave për në oborr të Ambasadave dhe rrëmbimi i anijeve në Durrës. Nuhatja e hollë shpejt u tregoi njerëzve se në Shqipëri nuk do të ketë asnjë kurë radikale dhe asnjë shërim të shpejtë, ndaj edhe ju vërsulën portit pak pasi kishin rrëzuar statujën e Enverit. Të gjitha këto Amelio i ka kapur me intuitën e tij të artistit. Ai ka kuptuar se violenca në Shqipërinë pasenveriane fillon që te fëmijët, të cilët luajnë kryesisht me gurë (dhe ishin ndoshta shkaktarët kryesorë të shkatërrimeve 90-91, më kot bëjnë gjyqe në Pogradec) vazhdon te të rinjtë dhe qetësohet vetëm kur është mbërritur Dheu i Huaj. Në mos po vërtitet edhe sot e shurdhër në kulla ngujimi. Natyrisht që në film gjithçka është e zymtë. Natyrisht që nuk tregohet Shqipëria turistike dhe as deputetët shqiptarë. Shumë e shumë gjëra nuk tregohen, por nëse do ta kritikonim autorin për këtë, akuza do të ishte e ngjashme me atë çka thuaj para pak vjetësh nga botuesi i partisë, p.sh. : ti vërtetë ke trajtuar temën e dashurisë, por, ku janë uzinat dhe kantieret, ku është lufta kundër zakoneve prapanike? Dendësimi i realitetit shqiptar është procedeja kryesore në filmin e Amelios. Nëse dhunën ose shkatërrimin në jetën shqiptare do ta ndeshësh në ditë një herë, në film ato i gjen dhjetë herë. Po a ka këtu ndonjë gjë për t’u çuditur? Kush nuk e kupton këtë mjet elementar të krijimit, të fshijë hundët dhe të largohet një herë e përgjithmonë nga skenat letrare. Ameilio na ka dhënë një Shqipëri të amplifikuar, një Shqipëri kafkaeske, që të ngjitet pas trupit, të lag deri në palcë, të merr frymën, por që me thellësinë e syve të zinj dhe të melodive të rënda të thërret prapë në vete, si diçka e rëndë, tepër e rëndë dhe e rëndësishme, që nuk do ta gjesh më kurrë në tjetërkund, sado ta kërkosh. Ti krahasojmë imazhet e filmit me skenat e jetës sonë të përditshme ose me vizatimet patriotike të TVSH dhe të zhgënjehemi, është njësoj si të akuzonim Kafkën për paraqitje të shtrembëruar të rrugëve dhe pasqyrim tendencioz të burokracisë së Pragës. Por mjaft më me këto leksione për camërdhok. Mblidhni pare miq, që “L’America”të vijë sa më parë në Shqipëri. Është një film i fortë, fjalë më të mira nuk ka. Mos pranoni ta merrni nga Ministria dhe as nga apostujt e kombit, të cilët më mirë i lënë kinematë përjetë aty ku ndodhen sot, mes sëmundjeve veneriane, se sa të fusin në Atdhe filmat e vërtetë. Hajt ta blejmë vetë se na bën mirë. Na pastron, na tregon errësirat e honeve ku kemi qenë e ku mund të zbresim prapë.
Ardian Klosi

SHKARKO APP