”Argita Berisha e vonuar në politikë”, Hoxha: Mosbindja civile do të vijojë në sheshe
Sekretari për Çështjet e Emigracionit pranë Rithemelimit, Indrit Hoxha thotë se goditja ndaj Sali Berishës ka ardhur për dy arsye, marrja e grupit parlamentar të PD-së dhe votëbesimi në Kuvendin e 2 dhjetorit. I pyetur për Argita Malltezin, ai tha se hyrja e saj në politikë do të ishte e vonuar. Ai paralajmëroi se deputetët opozitarë do ta vazhdojnë mosbindjen civile edhe në rrugë.
“Goditja e Berishës në gjykimin tim erdhi si pasojë e dy akteve politike në dy muajt e fundit. E para ishte marrja e grupit parlamentar të PD-së me 44 deputetë. Dhe e dyta, ishte Kuvendi i 2 Dhjetorit ku Berisha u votëbesua. Sipas statutit të PD pas zgjedhjeve lokale, kryetari që humbet zgjedhjet votëbesohet dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme, kryetari që humbet largohet dhe nuk ka të drejtë rikandidimi.
Kur e kemi bërë në Kuvendin e 11 Dhjetorit e kemi cilësuar si neni Basha se vetëm ai nuk ik sa herë humbet. Dhe si pasojë e këtyre dy akteve politike, mendoj se Rama me fraksionin e tij brenda drejtësisë së re, i dha këtë goditje politike Berishës. Ne nesër kemi mbledhjen e kryesisë së PD-së ku do të marrim disa vendime që do të lidhen dhe me të ardhmen e opozitës dhe PD.
Sa i takon zonjës Malltezi, e cila diskutoi në Kuvendin e PD-së, në gjykimin tim, Malltezi është e vonuar në politikë dhe e djathta e ka traditë trashëgiminë politike. Nuk ka asnjë lloj gjëje të keqe dhe nuk duhet të kemi një goditje politike pse ajo është e bija e Sali Berishës. Nuk i di ambiciet që mund të ketë zonja Malltezi për të qenë e para e PD-së por unë e gjykoj që shfaqja për opinionin publik e zonjës Malltezi është e vonuar”.