Arian Çani: Shqipëri–Greqi, kriza intelektuale tashmë e ndërkombëtarizuar

Nga Arian Çani-

Fluksi i emigrantëve klandestinë të kthyer në Kakavijë nga Greqia ka rënë këto ditët e fundit. Duket se zhurma propagandistike dhe intensiteti i kthimit përmbushën objektivin që kërkonte Ministria e Jashtme Greke. Gjithçka që ndodhi në koherencë me zhvillimin e gjyqit të të pestëve në Tiranë ishte e mjaftueshme që problemi i marrëdhënieve greko-shqiptare dhe kriza aktuale që ato përjetojnë të ndërkombëtarizohen plotësisht. Ky problem së bashku me çështjen e njohjes së Maqedonisë ka qenë objekt i bisedave tashmë shumë serioze sa në Bashkimin Europian aq edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga trajtimi diplomatik i krizës shqiptaro-greke politikanët grekë duket se synojnë të vërtetojnë pretendimin e tyre se Greqia mundet të luajë rolin e saj stabilizues në zonën e Ballkanit si njohëse direkte e problemeve të tij. Për këtë duke gjykuar nga deklaratat e zyrtarëve amerikanë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit dhe sidomos të Ministrit të Mbrojtjes William Perry pas takimit me homologun e tij grek Arsenis, duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës u besojnë në një masë të madhe opsioneve greke sa për Shqipërinë aq edhe për Ballkanin në përgjithësi. Ndërkaq në të njëjtën kohë kur në Greqi mbërrinin lajmi pozitive nga të tre emisarët e saj në Uashington (Ministri i Mbrojtjes Arsenis, Ministri i Punëve të Jashtme Papulias, Ministri i Arsimit J. Papandreu), ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë i dorëzojnë zëvendësministrit të jashtëm grek Kramidhjotis një letër të ministrave të tyre të jashtëm. Zhype dhe Kinkel i kërkojnë Greqisë në kuadrin e Trojk-ës të Bashkimit Evropian ( ku merr pjesë edhe vetë Greqia) që brenda Nëntorit të zhvillojë tratativat e nevojshme që të kapërcehet kriza sa në çështjen e Shkupit aq edhe në të Tiranës. Lidhur me Shqipërinë këmbëngulet që të kapërcehet çështja e bllokimit të 33 milion ECU. Kjo letër dhe një deklaratë e Kinkelit në komisionin e punëve të jashtme të Bundestagut u komentua në Greqi si të dëmshme për rimarrjen e Greqisë dhe për frymën unike të Këshillit Europian. Në fakt këto mund të konsiderohen si presion ndaj Greqisë por nuk përmbanin deri më tash ndonjë element në favor të Shqipërisë. Për më tepër që francezi Zhype sqaroi se për konsultimet që bëhet fjalë në letër në asnjë mënyrë nuk nënkuptohet që të marrë pjesë edhe Serreqi apo Gligorov. Në bazë të kësaj dhe duke shënuar në veçanti një artikull të djeshëm në gazetën më të madhe austriake “Di Pres” i vetmi shtet që ka deklaruar mbështetjen e tij ndaj Shqipërisë në krizën greko-shqiptare ngelet Turqia. Zoti Papulias duke u nisur të dielën për në Nju Jork deklaroi se në një ditë jo të afërt do fillojë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe. Por duke ju përgjigjur një pyetje se a do të takonte Serreqin në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB ai tha se për të realizuar një takim të tillë duhet plotësuar kushti i lënies së lirë të pesë minoritarëve. Dy ditë më vonë ai deklaronte se Greqia nuk do ta kundërshtonte rolin e sekretarit të përgjithshëm të OKB, Butros Butros Gali, si mediator në mes të Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë lidhur me çështjen e zbatimit të procedurës së vizës për nënshtetasit grekë që nga e mërkura 21.9.1994 komentatorët politikë në Greqi theksonin se tashmë Greqia nuk ka pse të disiplinohet në politikën ndaj Shqipërisë sipas linjave të komunitetit evropian përderisa është ajo që diferencohet nga të 12 anëtarët e Këshillit Evropian.
ARIAN ÇANI

(Botuar me 24 Shtator 1994 në KOHA JONE)

SHKARKO APP