Arkitekti që projektoi godinën e re të Teatrit: Do jetë e ardhmja e tyre
Në kohën kur polemikat dhe kundërshtimet e teatrit mbajnë në protestë artistë, arkitekti që projektoi godinën moderne Bjarke Ingels kërkon të mbyllë diskutimin publik, duke thënë se godina ekzistuese e ndërtuar në 1945, si një hapësirë argëtimi për ushtarakët italianë dhe nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar.
Një grup gazetarësh nga Tirana biseduan me arkitektin Ingels në Barcelonë, ku ai ishte pjesë e një konkursi arkitekture për vendet e Europës.
Bjarke Ingels: “Dy volumet e holla te godinave ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, nuk kane dimensionet fizike për të mbajtur një audiencë të madhe. Nuk ka hapësira për skenat anësore, çka do të thotë që nuk e ka lirinë për të krijuar larmishmëri në shfaqje, nuk ka lartësinë e mbiskenës, nuk ka një nenskene: pra teatri nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar.”
Por a mund të rikonstuktohej godina ekzistuese?
Bjarke Ingels: “Ne e studiuam me shumë kujdes hapësirën dhe mundësinë e përdorimit të dy godinave ekzistuese, por ato janë jashtëzakonisht të ngushta. Gjithmonë të duhet edhe mundësia e lëvizjes së materialeve nga dy anët e skenës nëse ke një shfaqje te madhe si për shembull Otello, Hamleti, apo Mbreti Lear. Dhe mendoj se me shumë se pyetja a duhen mbajtur apo jo dy godinat e ndërtuara me qëllim argëtimin e ushtarakëve, pyetja është a duhet të ketë qendra e Tiranës një teatër të vërtetë Kombëtar, të projektuar dhe ndërtuar me qëllim që të jetë Teatër Kombëtar.”
Është njohur me protestën dhe qëndrim kundër në Tiranë, por thotë se me vonë do të kuptohet se Teatri është projektur për të ardhmen e artistëve.
Bjarke Ingels: ” Mendoj se njerëzit e shqetësuar për të ardhmen e Teatrit Kombetar do të kuptojnë se ajo që kemi projektuar për ta është e duhura.”
Një situatë e ngjashme – thotë arkitiketi – ka ndodhur dhe në Barcelonë në vitet ’80-të!
Bjarke Ingels: “Shumë pranë me hapësirën ku ndodhemi (Qendra Kulturore Bashkëkohore e Barcelonës), është Muzeu i Artit Bashkëkohor të Barcelones. Edhe në këtë hapësirë ndodheshin disa ndërtesa ushtarake të vjetra në atë kohë që u shembën. Patjetër që edhe atëherë kishte njerëz të shqetësuar që pyesnin ç’po ndodh, përse po i ndryshoni gjërat, çfarë do të ndërtohet. Por mendoj se po ata njerëz sot, 30 vjet më vonë, janë tejet të lumtur që morën këto vendime të rëndësishme në vitet ’80-të, dhe mendoj që Tirana ndodhet në një moment të ngjashëm sot.”
Për arkitektin Bjarke Ingels Teatri Kombëtar i Shqipërisë do të ndërtohet në kufij të sheshit “Skënderbej”. Është projektuar që e gjithë hapësira funksionale e teatrit, skenat anësore, nënskena, mbiskena, dhe aty ku stafi i teatrit do të përgatisë shfaqjet, apo skenarin do të jenë transparente për kalimtarët e rastit që ecin në qendrën e Tiranës.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

