Armë me postë nga Rinasi në Londër, dërguesi me identitet të rremë
Prokuroria e kryeqytetit shpalli moskopetencën dhe dërgoi për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen e pjesëve të armëve të zbuluara gjatë një kontrolli rutinë në aeroportin e Rinasit. Sakaq, dje Policia e Shtetit, në sajë të operacionit antitrafik të koduar “DELIVERY”, arrestoi njërin prej personave që kishte si qëllim të dërgonte tre pakot me armë zjarri për në Londër, si dhe shpalli në kërkim personi tjetër bashkëpuntor në këtë tentativë për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake në Rinas. Në pranga ra Saimir Çullhaj, 32 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Trafikim të narkotikëve” . Policia nëpëmjet deklaratës për mediat, zbulon detaje mbi pakot e kapura rastësisht gjatë skanimit në aeroportin Rinas. Një prej tyre është edhe se gjatë kontrollit fizik, Çullhaj-it në momentin e arrestimit i’u gjetën në trup 220 gramë lëndë narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim u gjetën 4.5 kg lëndë narkotike kanabis si dhe 32 bimë narkotike të kultivuara. Gjithashtu specifikohet se brenda pakove ishin tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara. Ashtu siç edhe u mësua që në kapje të pakove, policia e konfirmon se destinacion kishin Mbretërinë e Bashkuar.
Policia
“Në vijim të punës për zbardhjen e tentativës për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake nëpërmjet Rinasit, nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Drejtorinë për Narkotikët dhe Trafiqet në Policinë e Shtetit si dhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda, u bë i mundur finalizimi i Operacionit antitrafik i koduar “DELIVERY” për veprën penale të “Trafikimi i armëve dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi N.F, 47 vjeç, banues në Durrës. Në kuadër të proçedimit penal të nisur për këtë ngjarje, është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në datë 23.08.2017 rreth orës 18:00 kanë bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjensive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza””,-thuhet në njoftimin e Policisë.
Fshiheshin pas internetit
Tre shtetas të ndryshëm janë paraqitur pranë postës DHL në Durrës ku kanë postuar me të dhëna fiktive pakot. Këto pako më pas janë kaluar në Tiranë dhe nga aty drejt magazinës “Cargo” në aeroportin “Nënë Tereza”. Nga Durrësi këto pako kanë adresa të ndryshme dërguesish ndërsa pritësi në Angli është i njëjti, por deri më tani jo një individ por një kuti postare vetëm me numër. Pas zbulimit të këtij rasti qëndron një grup i strukturuar kriminal i trafikut ndërkombëtar të armëve ndërsa transaksioni dyshohet se është kryer me anë të internetit si porosia dhe pagesa për këto armë.

