Arrestimet dhe dënimet e ish-ministrave, Rama: Pa PS nuk do të kishte SPAK, nuk mbrojmë askënd

Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK po identifikon personat e korruptuar dhe se nuk është rritur korrupsioni në qeverinë e tij. Sipas Ramës, mazhoranca ka ngritur sisteme që kanë ulur korrupsionin në vendin tonë. Rama foli dhe për ministrat të cilët janë akuzuar apo dënuar për korrupsion, duke thënë se për këtë dënime duhet të përgëzohet PS pasi i ka shpallur luftë korrupsionit..

Fevziu: Ju vetë e ndjeni veten të njollosur nga ky korrupsion?

Rama: Unë të njollosur?

Fevziu: Penalisht ju nuk keni akuzë, por ju keni në arrati zëdhënësin tuaj, ministra ke në burg.

Rama: Kjo është një arsye për të thënë bravo Partisë Socialiste. Sepse Partia Socialiste është e para dhe e vetmja forcë politike në historinë e shtetit shqiptar që nga 1912 që ka hequr nga kontrolli politikë dhe që thotë shumë thjeshtë : “Nuk dua ta di fare a je zëdhënësi, a je shoku, a je tjetri ,a je tjetri… Në këtë pikë nuk ka shokë, nuk ka zëdhënës, nuk ka asgjë tjetër por ka një ndarje të menjëhershme, kaq.

Fevziu: Kë do ta quanit ju përgjegjësi tuajën politike?

Rama: Do të quaja sikur mos të ishte kapur asnjë ish-ministër i Partisë Socialiste, sikur mos të ishte kapur asnjë nga drejtorët që janë kapur, sikur të ishin vënë para drejtësisë vetëm ata që janë të krahut tjetër. Kjo do të ishte përgjegjësi shumë e madhe politike. Nëse do të ishte e vërtetë se në Shqipëri ka një vjedhje masive me tendera…

Fevziu: Këtë po thotë SPAK-u.

Rama: SPAK s’po thotë asgjë, përveçse po identifikon dhe po godet ashtu siç duhet të bëj raste të caktuara, ndërsa përgjithësimi që si këta që u kapën janë të tërë e bëni ju. E vërteta është në fakt nëse do të ishte kështu nuk do kishim kursyer gati 1 miliardë euro nga tenderat, nuk do kishim një numër operatorësh ekonomikë që fitojnë gara gati 3-fishin e atyre që fitonin para se të vinim ne.

SHKARKO APP