“Arrestimet”, eksperti i Policisë: Shqipëria vend tranzit i drogës
Aksionet dhe arrestimet e ditëve të fundit kanë marrë vëmendje të madhe mediatike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, eksperti i policisë, Arjan Hoxha tha se ky operacion nuk është bërë nga policia shqiptare, por me ndihmën e DEA-s dhe Gjermanisë.
Ai deklaroi se është për të ardhur keq, që Shqipëria është bërë një vend tranzit për drogat e forta dhe kjo sipas tij, është verifikuar dhe faktuar nga statistikat e publikuara nga organizatat e besueshme ndërkombëtare.
“Policia e Shtetit ka patur një punë të dobët në sensin e parandalimit. Në momentin kur ti nuk i godet, personat e rrezikshëm fuqizohen nga aspekti ekonomik dhe kanë akses më të madh në informacion. Policia jonë nuk ishte në gjendje ti godiste grupet kriminale. Kjo është e faktuar. Shqipëria është një vend tranzit i drogave të forta, dhe këtë e ka treguar edhe statistikat e organizatat ndërkombëtare. Kemi një rritje të kësaj kurbe, e cila ka arritur majat e saj. Kjo dëshmon se Shqipëria është krijuar si bazë, sepse grupet kriminale janë të sigurt ku magazinohen dhe vendi ku vendosen laboratorët. Arrestimet e Ndokës dhe Çukos, çdo rast i arrestimit të funksionarëve të lartë është për t’u përshëndetur. Këto kanë ndikim në aktivitete të paligjshme. Ne kemi ndaluar persona të lartë, por nuk i kemi bërë publik imazhet e tyre, sepse kanë familje, mbështetës. Në rastin e ish-deputetit Ndoka, sepse në fund të fundit ai nuk mund ta bënte falsifikimin e dokumenteve, që më pas ajo të tjetërsohet. Sepse janë një sërë hallkash që duhet të ishin në dijeni. Deputeti Ndoka mund të ketë ushtrim të ndikimit të paligjshëm, por me ndikimin politik mund të ketë ndikuar padrejtësisht në përfitimin e të mirave materiale. DEA dhe Gjermania kanë bërë rol kyç në aspektin e inteligjencës, ndërsa në finale kanë arritur të godasin sepse provat materiale janë gjetur”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

