Arrestimi i Metës, Avokati i Popullit nis hetimet për procedurat e ndjekura

Avokati i Popullit, bën me dije se ka nisur hetimet për procedurat e arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës nga Forcat Operacionale, një javë më parë.

Avokati i Popullit ka regjistruar rastin për të hetuar administrativisht veprimet e Policisë së Shtetit në zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të masës, nga Forcat Operacionale më 20 tetor 2024 teksa po udhëtonte me makinë në drejtim të Tiranës.

Hetimi do të vlerësojë nëse janë marrë masat e përshtatshme për të garantuar të drejtat e subjekteve gjatë procedurave të arrestimit. Arrestimi i tij u krye në vendin e quajtur ”Kthesa e Kamzës”, në zonën e Laprakës.

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta po hynte në Tiranë, i kthyer nga një udhëtim që kishte bërë në Kosovë, në momentin që makina e tij u ndalua nga forca të shumta të Operacionales, rreth orës 13:15 minuta të 20 tetorit 2024.

SHKARKO APP