Arrestimi i pronares së agjencisë turistike në Tiranë, çfarë thotë i shoqi
Pronarja e agjencisë turistike “Tasho’s Travel Agency”, Marina Tasho, u arrestua më 22 nëntor, e akuzuar për mashtrim.
Ditën e hënë ndaj saj Gjykata e Tiranës vendosi si masë sigurie “arrest me burg”, e akuzuar për mashtrimin e së paku 11 personave me bileta udhëtimi.
Doris Tasho, bashkëshorti i Marina Tasho (Maze), ka thënë në polici se nuk e di se çfarë ka bërë e shoqja dhe as arsyet që e kanë shtyrë.
Por ka treguar se më 20 nëntor, Marina i kishte thënë se kishte shumë borxhe te kompanitë e udhëtimit, por pa i specifikuar asgjë më shumë.
Ndër të tjera ai ka treguar se iu kanë shkuar shumë njerëz në shtëpi dhe i kërkonin llogari për paratë që kishin paguar për udhëtimet.
Po ashtu ai ka treguar se Marina kishte tre vjet që kishte hapur ‘Tasho’s Travel Agency’, por prej saj nuk kishin pasur përfitim ekonomik, duke qenë se ishte biznes i tij.
‘Tasho’s Travel Agency’ operonte në rrugën “Hoxha Tasim” në kryeqytet. Marina Maze (Tasho) u arrestua me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda dhe fshehje të të ardhurave, pas kallëzimeve të bëra nga disa qytetarë në polici dhe hetimi i krimit ekonomik.
Gjithçka ka ndodhur pasi Tasho, nëpërmjet ofertave tejet të ulëta ka joshur klientë që të prenotonin udhëtimet duke paguar paratë, ndërsa më tej agjencia u mbyll dhe ata e gjetën veten pa mundësi për të udhëtuar dhe me lekët e zhdukura, pikërisht pak ditë para se të niseshin në Amsterdam, siç ishte premtuar edhe turi i personave të dëmtuar.
Po ashtu një tjetër grup ka bërë denoncime për udhëtime drejt Dubait dhe Berlinit.

KOHA JONË SONDAZH

