Arrestimi i të afërmit të deputetit të PS, zv.ministri: Ka prova, ka qenë në makinën e autorëve

Pas arrestimit të Redjan Rrahjas, i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku përveç tij mbeti i plagosur shoferi dhe shoku i tij, zëvendësministri Besfort Lamallari pohoi se ka prova që e impikojnë këtë person.

Përballë gazetarit Sokol Balla në ‘Real Story’ Lamallari tha se nuk ka asnjë dyshim se personi i arrestuar, i cili është nipi i deputetit të PS-së Rrahman Rrahja, ka qenë në makinën e braktisur nga autorët e atentatit që u gjet në Shkafanë. Kjo, sipas zyrtarit të ministrisë, për shkak të provave që janë gjetur në mjet siç janë gjurmët e gishtërinjve.

“Nuk ka asnjë dyshim që personi i arrestuar ka qenë në automjet. Kjo provohet nga gjurmët e gishtave. Ngjarja ndodhi në 1 nëntor. Pra prej 3 ditësh po hetohet për ngjarjen nën kontrollin e prokurorëve të Krimeve të Rënda. Duke parë bashkimin, kam besim se për 3 ditë apo 3 javë do të kemi avancim në këtë aspekt. S’duhet të përjashtojmë asnjë pistë. Akuza e parë është ‘vrasja e mbetur në tentativë për shkak të detyrës’, por mund të jenë edhe ndaj personit tjetër. Kryeministri dhe zv/kryeministri kanë më shumë burime sesa ne. Ka një grup të mirë hetimor që po merren me këtë rast. Besoj se do të kemi zhvillime pozitive”, -tha Lamallari

Ndërkohë pyetjes së gazetares Klodiana Lala për faktin nëse Ministria e Brendshme ka informacione të rezervuara nëse Pëllumb Muharremi ka kontakte me zyrtarë të lartë, Lamallari tha se çështjet që janë nën hetim nuk mund të behen të ditura.

“Do të ishte me shumë interes që dhe ju si gazetar për çdo informacion që ka, por edhe të personave të lidhur me krimin, duhet të bëni adresime në polici dhe SHCBA. Nëse ka hetim duhet ta ndaj me ju? SHÇBA nëse bën hetim po bën punën e vetë. Është ndalim për çdo kënd që të zbulojë hetim. Do doja shumë që të kisha mirëkuptim të çdo gazetari që të jenë të kujdesshëm. Mos të zbulojmë detaje që të dëmtojnë hetimin”, tha zv/ministri i Brendshëm.

Lala: Ky personazh që ka këtë nofkë, që është konsideruar si i forti i Sukthit, nëse do të ishte dënuar dhe mos të ishte amnistuar, s’do ishte sot kjo ngjarje.

SHKARKO APP