Arrestohen 11 shoferë dhe gjobiten 8 mijë të tjerë në një javë në Tiranë, bllokohen automjete
Gjatë javës që lamë pas janë arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë 20 drejtues mjetesh, për vepra të ndryshme penale.
5 shoferë janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur, 2 persona janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në efektin e lëndëve narkotike, ndërsa 4 të tjerë janë arrestuar në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, janë vendosur 8102 masa administrative, kryesisht për shkelje që janë burim aksidenti. Janë vendosur 203 masa administrative, për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 469 masa administrative, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.
468 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha; 1158 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. Gjithashtu janë vendosur 80 masa administrative, për xhama të errësuar dhe 446 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve. Policia ka bllokuar 9 automjete.