Arrestohet 45-vjeçari në Kukës, kultivonte kanabis dhe mbante armë zjarri në shtëpi

Një 45-vjeçar në Kukës është arrestuar nga policia pasi kultivoi bimë narkotike në 3 parcela gjatë vitit 2024, njoftoi policia lokale.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Komisariati i Policisë Kukës finalizoi operacionin “Kroi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi N. M., 45 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim, sepse Gjykata e Kukësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, tha policia.
Në qershor 2024, shërbimet e Policisë konstatuan se 45-vjeçari kishte kultivuar bimë narkotike, në 3 parcela, në vendin e quajtur “Mahalla e Kroit të Madh”. Më tej, nga kontrollet në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.