Arrestohet në Durrës i riu që blinte pistoletat që përdornin vëllezërit Beqiraj
Policia e Durrësit ka arrestuar Zenaldo Mamaqi, 32 vjeç në kuadër të operacionit ‘Porositësi’. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Me arrestimin e tij, ka shkuar në 15 numri i personave të vënë në pranga pasi vellëzërit Beqiraj zbërthyen disa ngjarje të rënda kriminale.
Mamaqi ishte pjesë e grupit që kryente shitjen dhe blerjen e pistoletave dhe armëve të tjera që vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, me bashkëpunëtorët përdornin për të kryer vrasjet me porosi nga Kasandër Noga dhe Flamur Bejko.
Emri i Mamaqit doli në dëshminë e Indrit Beqirajt, i cili deklaroi para grupit hetimor se një sasi tritoli e ka shitur tek Aldo Mamaqi (Zenaldo Mamaqi) për 2 500 euro. Në një njoftim të Policisë Durrës citohet se ‘Vijon operacioni policor i koduar “Porositësi”. Shkon në 15 numri i të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni. Vihet në pranga 1 shtetas, i dyshuar i përshirë në veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit “Porositësi”, mbështetur me inteligjencë operative, bënë të mundur ndalimin e Zenaldo Mamaqi 32 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet hetimore rezulton se 32-vjeçari është autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme’.
KOHA JONË SONDAZH

